Hapet mini-biblioteka e parë në Prishtinë - Bota Sot
Hapet mini-biblioteka e parë në Prishtinë

Prishtina

Hapet mini-biblioteka e parë në Prishtinë

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 17:39
Mini-biblioteka e parë në Prishtinë

Me moton “Sill një libër merr një tjetër”, sot u hap mini-biblioteka e parë në Parkun e vjetër në lagjen “Dardania” të Prishtinës, e cila u mundësua nga ETEA, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Libraria “Dukagjini” dhe FIQ.

Mini-biblioteka do të ketë qasje  24 orë në 7 ditë të javës dhe do të jetë nën kujdesin e banorëve të lagjes. E njëjta do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti tha se ETEA është iniciator e projektit për mini-biblioteka në lagjet e komunës së Prishtinës dhe shpreson që edhe lagjet e tjera së shpejti do të bëhen me mini-biblioteka të tilla.

Ahmeti: Punën për hapen e mini-bibliotekës e kemi nisur në muajin gusht

“Projektin e kemi pas në mendje qe dy-tri vite, por normalisht  është dashur edhe bashkëpunimi i partnerëve  të tjerë, qoftë organizata implementuese , qoftë si donator që në këtë rast kemi bashkëpunuar me forumin për iniciativa qytetare, burim financiar prej zyrës për Bashkim Evropian, ndërsa në partneritet kemi qenë me librarinë ‘Dukagjini’ dhe me Kuvendin e të Rinjve të Prishtinës. Këtë punë kemi filluar në muajin gusht ku kemi zhvilluar një fushatë nëpër lagjet përfituese dhe fillimisht kemi kërkuar bashkëpunim nga qytetarët e lagjeve, qoftë me ndarjen e ndonjë libri për mini-biblioteka, apo edhe në kontribute financiare”, tha Ahmeti.

Përfaqësuesi i Forumit për iniciativa qytetare, Oltion Beqiri, tha se me hapjen e kësaj mini-biblioteke, qytetarët do të kenë mundësi të kenë qasje dhe të pajisen me libra të ndryshëm. Ai shpreson që këto mini-biblioteka pas shumë viteve do të kenë qasje në tërë Kosovën

Beqiri: Shpresojmë të nisë implementimi i mini-bibliotekave edhe në qytetet tjera

“Projekti Mini Biblotekat i realizuar nga ETEA, është pjesë e projektit sinë i cili implementohet nga forumi për iniciativa qytetare dhe financohet nga BE. ETEA gjatë kohës që ka ngritur fondet shumën e njëjtë financiare që ka arritur ta mbledhë nga këto fonde të njëjtën shumë financiare do ta japim edhe ne si FIQ, nga fondet e bashkimit evropian pasi është edhe pjesë e projektit. Dhe shpresojmë që edhe viteve të ardhshme ne këto mini biblioteka do të fillon implementimi edhe ne qytete të tjera pasi që në bashkëpunim me partnerët tan e kemi parë rendësin e këtyre mini bibliotekave në lagje të ndryshme të qytetit”, tha Beqiri.

Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve, Kosovare Sadiku, u shpreh e lumtur për mini- bibliotekën e parë, ku qytetarët do të kenë mundësi të shërbehen me libra falas, gjë e cila sipas saj, do të jetë një mundësi për të nxitur lexueshmërinë.

Sadiku: Kemi për obligim të nxisim të rinjtë për të lexuar

“Ky ka qenë një bashkëpunim i mirëseardhur për neve për arsye që ne si Kuvend i të Rinjve mendojmë që e kemi obligim të nxisim të gjithë të rinjtë për të lexuar dhe jo vetëm të rinjtë pasi që libri i përket të gjitha grup-moshave. Sa i përket këtij bashkëpunimi ka filluar nga muaji gusht ku ka qenë fushata për mbledhjen e fondeve dhe librave nga vetë banorët e lagjes, kemi pasur vullnetarët në terren gjatë gjithë muajit gusht, ka pasur interesim shumë të madh nga ana e qytetarëve. Prandaj jemi shumë të lumtur sot për mini-bibliotekën e parë, në mënyrë që t’i ofrojmë lexuesve potencialë librin sa më afër dhe të nxisim lexueshmërinë, dhe po mendojmë se mini-biblioteka do të jetë një mundësi më e madhe në mënyrë që të ndikojmë te lexueshmëria te këto grup-mosha”, tha Sadiku.

Projektit në fjalë iu bashkuan edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuar me libra dhe mjete financiare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat