Prindërit kërkojnë që të ndalen ekskurzionet në Shqipëri

Prishtina

Prindërit kërkojnë që të ndalen ekskurzionet në Shqipëri

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës (KPP), me ftesë nga Drejtoria Komunale e Arsimit e Komunës së Prishtinës, e ka vëzhguar procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së ofertave për zhvillimin e ekskursioneve në Shqipëri të nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës.

KPP ka dalë me një raport pasi shkollat e kanë përfunduar përzgjedhjen por edhe aktivitetin e ekskursioneve, ku rekomandon që ekskursionet e nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri të ndërpriten plotësisht.

Kjo pasi, sipas KPP-së, edhe përkundër që këtë vit pati një riorganizim të procesit të përzgjedhjes së ofertave (ku vlerësimi është bërë në ambientet e DKA dhe KPP e ka vëzhguar gjithë procesin), “procesi i përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë, si dhe vetë realizimi i ekskursioneve, nuk ndryshoi mjaftueshëm në përmbajtje për ta arsyetuar zhvillimin e këtij aktiviteti”.

“Andaj ekskursionet, si të tilla, janë qartësisht një aktivitet i keqorganizuar dhe që nuk kanë elemente edukativo-arsimore, dhe si të tilla, ekskursionet e nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri duhet të ndërpriten plotësisht”, thotë KPP, raporton Koha.net.

Më tej, KPP rekomandon edhe ndryshimin e tërësishëm të rregullimit aktual ligjor mbi të cilën ekskursione të ngjashme do mund të realizoheshin në të ardhmen, si dhe kërkon që të krijohet një Komision i përbashkët: MASHT, DKA, Zyra e Prokurimit Publik, Këshilli i Prindërve dhe Shoqëria Civile, për të ridizajnuar tërësisht konceptin e ekskursioneve, “me çka këto aktivitete do të kishin përfitime të qarta dhe të dukshme edukativo-arsimore për nxënësit dhe nuk do të dëmtoheshin krejtësisht dhe paarsyeshëm prindërit – me shpenzime për aktivitete të tilla pa përmbajtje edukativo-arsimore”.

Këto rekomandime kanë ardhur pasi Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës ka gjetur disa parregullsi në këtë proces.

KPP thotë se procesi i shpalljes së ftesës për oferta nuk është zbatuar në të gjitha rastet me të njëjtat kushte dhe kritere, ku së paku një shkollë ka vendosur specifika të veçanta (duke kërkuar akomodimin e vetëm një klase në një autobus të vetëm) duke çuar paarsyeshëm në rritjen e kostos së realizimit të ekskursioneve.

“Procesi i vlerësimit të ofertave bazohet në Udhëzimin Administrativ të MASHT-it (Nr. 02/2016), i cili ka defekte serioze në përmbajtje dhe bazë ligjore, duke vendosur rregulla të përzgjedhjes që bien krejtësisht ndesh me legjislacionin për prokurimin publik në Kosovë, por edhe parimet e përgjithshme të përzgjedhjes së ofertave përmes thirrjes publike. Komisioni Vlerësues (i përbërë nga Drejtorët e shkollave të mesme, përfaqësuesi i prindërve dhe një përfaqësues i DKA) ka tendencë të marrë vendime të njëanshme dhe të padrejta, ku zyrtari i DKA-së, zakonisht, është mbivotuar. Në shumicën e rasteve të procesit të vlerësimit, drejtorët e shkollave insistonin (dhe vendosnin ashtu) që të mos ndryshohej operatori me të cilin do të realizohej ekskursioni, duke e arsyetuar këtë vendim me përvojat personale, rrjedhimisht zbehej krejtësisht efekti i procesit publik të vlerësimit”, ka thënë KPP.

Në të gjitha proceset e zhvilluara, KPP thotë se së paku një kriter (për gjendjen shëndetësore të shoferëve të autobusëve) asnjë nga agjencitë e udhëtimit nuk e kishin të plotësuar, duke deklaruar certifikata të skaduara të kontrollit shëndetësor të shoferëve (më të vjetra se 6-muaj).

Tutje, KPP thotë se janë evidentuar raste kur operatorët ekonomikë, përkundër që e kanë nënshkruar deklaratën nën betim se do t’i përmbahen kushteve të konkursit, “i kanë akomoduar në të njëjtin hotel, dhe në të njëjtat data, nxënësit e më shumë se një shkollë (ndërsa ka qenë kërkesë eksplicite që në të njëjtin hotel dhe në të njëjtat data të akomodohen vetëm nxënësit e një shkolle)”.

“Si pasojë e mosrregullimit të duhur ligjor, nga njëra anë, por edhe vendimeve jo të drejta dhe jo të barabarta nga drejtorët e shkollave, nga ana tjetër, procesi i vlerësimit të ofertave për ekskursione në të shumtën e rasteve ka rezultuar me përzgjedhjen e ofertave më të shtrenjta, përkundër që kishte operatorë që i plotësonin të gjitha kushtet e shpalljes (por dhe më mirë) sesa operatori me çmimin më të shtrenjtë”, potencon KPP në raportin e saj me gjetjet.

Kurse në fund, KPP thotë se ekskursionet e shkollave të mesme, përkundër se këtë vit kanë njohur një shkallë të riorganizimit, “vazhduan të jenë si një mjet vetëm i argëtimit, dhe nuk arritën të plotësojnë gati aspak prishtshmëritë për të qenë mjet edukativo-arsimor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat