Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familje

Prishtina

Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familje

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Me moton “Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familje”, më 15 dhjetor do të mbahet edicioni i katërt i maratonës në Prishtinë, ku qytetarët do të vrapojnë me veshje të Babadimrit, veshje të cilat mund të blihen nëpër sheshet e Prishtinës, ndërsa, të hollat nga shitja janë të destinuara për familjet në nevojë.

Ky aktivitet i fundvitit po realizohet tash e katër vjet me qëllim që t’iu dilet sadopak në ndihmë familjeve të varfra, e që në këtë vit do të përfitojnë rreth 700 sosh.

Shitja e rrobave të Babadimrit nis nga sot, e deri më 15 dhjetor, çdo ditë në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku një kostum për fëmijë kushton pesë euro, ndërsa për të rritur 10 euro.

Organizatori i këtij aktiviteti, Jusuf Islami tha për KosovaPress, se janë shumë të kënaqur që iniciativa e tyre po gjen mbështetje nga qytetarët. Ai kujton se herën e parë, kur ishte mbajtur ky lloj aktiviteti, ishin ndihmuar 60 familje, derisa këtë vit ky numër do të jetë dukshëm më i madh.

Islami: Këtë vit do të përfitojnë rreth 700 familje në nevojë

“Këtë vit është edicioni i katërt i “Vrapo Babadimër”, që mbahet tradicional tashmë në Prishtinë dhe me të vërtetë jemi shumë të kënaqur, sepse ky lloj vrapi dhe ky humanizëm çdo vit po rritet. Këtë vit janë disa risi, pasi që pjesë e kampanjës do të jetë edhe Komiteti Olimpik dhe me të vërtetë jemi të kënaqur për këtë rritje të vazhdueshme çdo vit të maratonës humanitare “Vrapo Babadimër. E mira e kësaj iniciative është që këtë vit do të përfitojnë rreth 700 familje në nevojë, duke parë që nga fillimi në edicionin e parë do të thotë fituan vetëm 60 familje, andaj është një rritje shumë e madhe dhe jemi shumë të kënaqur që njerëzit po e pëlqejnë, po iu duket një aktivitet shumë human dhe shumë i mirë”, tha Islami.

Risi e maratonës këtë vit, sipas Islamit, është edhe pjesëmarrja e fëmijëve nga Handikos dhe Fshatit SOS, dhe se shpreson që kësaj iniciative t’i bashkëngjitet edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Islami: Komuna po përkrah kampanjën humanitare

“Në këtë vit do të jenë edhe komunitetet pjesë e garës si Hendikosi, Sos Fshati, dhe jemi falënderues prej Komunës së Prishtinës që këtë vit kemi gjet subvencione, që na kanë përkrahur me këtë kampanjë dhe shpresojmë që në vitet e ardhshme kjo do të rritet edhe më shumë. Shpresoj që këtë vit do të jetë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, kur të ndizen dritat e Prishtinës, të vijë të marrë një kostum dhe në ditën e maratonës të jetë prezent edhe ai”, tha Islami.

Ai iu bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që t’i bashkohen maratonës, në mënyrë që të ndihmojnë sa më shumë familje në nevojë.

Islami: Shitja e kostumeve bëhet nga data 25 nëntor deri 15 dhjetor në ditën e maratonës

“Shitja e kostumeve bëhet nga data 25 nëntor deri më datën 15 dhjetor, në ditën e maratonës, ku maratona starton në orën 13:00 dhe të gjithë Babadimrave iu themi të vinë së paku një orë më herët, sepse ka muzikë dhe argëtime të ndryshme dhe nga ora 11:00 deri në mbrëmje ne do të jemi çdo ditë te sheshi “Zahir Pajaziti” t’i shesim kostumet, andaj i ftojmë të gjithë të marrin pjesë kompanive bizneseve të ndryshme, pasi që nuk do të zhgënjehen dhe në fund kur po e dimë që kemi për t’iu dhuruar 700 familjeve buzëqeshje, ajo është i gjithë koncepti i organizimit “Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familje”, tha ai.

Ndryshe, Kosova është njëra nga 60 shtetet e botës që organizon aktivitetin e vrapimit të Babadimrit për bamirësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat