Ndërtimi në Badovc, pezullohet Plani Zhvillimor Komunal

Prishtina

Ndërtimi në Badovc, pezullohet Plani Zhvillimor Komunal

Më: 28 janar 2020 Në ora: 10:59
Seanca për Badocin

(E plotësuar) - Seanca e jashtëzakonshme për mbrojtjen e liqenit të Badovcit ka përfunduar me votimin pro që Kuvendi Komunal i Prishtinës të pezullojë Planin Zhvillimor Komunal për zonat 1, 2 dhe 3 për mbrojtje në pjesën e liqenit të Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë.

Bashkë me këtë propozim u votuan edhe dy rekomandimet tjera siç janë ai për anulimin e kushteve ndërtimore të lëshuara në pjesën e Badovcit, si dhe këtë zona ta shpallë peizazh të mbrojtur dhe të bashkohet me peizazhin e mbrojtur të Parkut të Gërmisë.

Në pjesën e dytë të seancës së jashtëzakonshme ku vazhdoi debati për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nga ndërtimet, iniciuesi i kësaj seance, asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Leotrim Retkoceri i prezantoi këto rekomandime.

Retkoceri: Komuna e Prishtinës të anulojë kushtet ndërtimore

“Kemi marrë qëndrim që të kemi dy rekomandime për mbrojtjen e liqenit të Badovcit dhe një vendim. Rekomandimi është kësisoj kërkesa që komuna e Prishtinës në bazë të akteve ligjore në fuqi të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në pjesën e liqenit të Badovcit  më datën 26.12. 2019. Rekomandimi dy është të fillojë procedurat që zonën përreth liqenit të Badovcit, e cila nuk është e përfshirë në peizazh të mbrojtur të bashkohet me peizazhin e mbrojtur  me parkun rajonal të Gërmisë... Propozimi për vendim është që Kuvendi komunal të merr vendim që të pezullojë Planin Zhvillimor Komunal për zonën 1, 2 dhe 3 për mbrojtje në pjesën e Badovcit deri në nxjerrën e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë“, tha ai.

Por, asamblisti i Partisë Socialdemokrate, Nol  Nushi ndonëse u shpreh se do i votojë këto rekomandime, tha se ato nuk kanë bazë ligjore.

Nushi: Këto rekomandime nuk kanë bazë ligjore

“U dakorduam me vetëdije të plotë që jemi duke e vendosur një pikë që nuk ka bazë ligjore, ne sot mund ta votojmë  neve nuk na ndjek ligji, unë kam për ta votuar, sepse nuk ka kurrfarë rreziku prej kësaj pune, por dije që vendimi që komuna ta pezullojë Planin Zhvillimor për atë pjesë absolutisht nuk e ndal asnjë ndërtim për atë zonë, sepse deri në planin e ri ai plani aktual mbetet në fuqi”, u shpreh Nushi.

Me këtë u pajtua edhe bashkëpartiakja e tij, Vale Peshku e cila tha se nëse duan t’u ‘hedhin hy hi syve’ të qytetarëve, se me këto rekomandime janë duke bërë diçka për të mbrojtur Badovcin, në fakt, sipas saj, ata nuk janë duke bërë asgjë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti iu drejtua asamblistëve se brenda një dite përmes kërkesës së tyre për pezullim të Planit Zhvillimor Komunal po mundohen të bëhen më ekspertë se vetë shteti.

Ai madje tha se ky plan nuk mund të pezullohet me një vendim të Kuvendit Komunal dhe këto rekomandime nuk i sheh si një zgjidhje për të ndaluar ndërtimet në zonën e Badovcit.

Ahmeti: Plani Zhvillimor nuk mund të pezullohet me vendim të Kuvendit Komunal

“Për një ditë po doni të bëheni më ekspertë sesa krejt vendimet e shtetit qe 20 vjet. Pra, e keni vendimin e vitit 2013 të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e akumulimit të Badovcit. Janë të caktuara zonat, është e vizatuar në hartë,  ju jeni duke marrë vendime pa e parë hartën hiq... Nuk jemi kundërshtar këtu, nuk jeni duke më kuptuar, nuk jam duke u munduar për ta mbrojtur, unë po them nëse me të vërtetë e kemi përnjëmend me e ndal atë lagje, ka mënyra tjera ligjore këtu jeni duke e bërë një vendim politik për të dalë mirë  në televizion edhe të thoni  ‘ne e përfunduam tonën, por me na e lënë neve ende në dorë sepse ne nuk mundemi me sjell në mënyrë kundërligjore’. Pra ju nuk mund ta pezulloni PZHK me një vendim të Kuvendit”, tha Ahmeti.

Sqarime rreth situatës së krijuar për ndërtimin e lagjes në Badovc dha edhe drejtori i Departamentit të Urbanizimit, Arian Olluri.

Olluri: Një akt administrativ nuk mund të shfuqizohet në bazë të rekomandimeve

“Ky vendim ka qenë në fuqi para miratimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Komunal e ka miratimin edhe nga ministria. Tash po kërkoni me rekomandim të Kuvendit të pezullohen kushtet ndërtimore, të cilat i kemi lëshuar në fund të këtij procesi. Ministria na i ka kthyer me arsyetimin se Plani Zhvillimor Komunal është mbi Planin Rregullues Urban, në bazë të cilit ne e kemi refuzuar dhe se ne duhet ta trajtojmë kërkesën në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe që zona e dytë nuk ndalohet ndërtimi i shtëpive rurale... Po kërkohet që ne ta shfuqizojmë një akt administrativ, një të drejtë që  e ka fituar pala në të drejtën administrative duke u bazuar në rekomandimin e Kuvendit, gjë që ligjërisht nuk kemi të drejtë sepse nuk mund të shfuqizohet një akt administrativ në bazë të një rekomandimi”, tha ai.

Seanca e jashtëzakonshme për mbrojtjen e Badovcit, e iniciuar nga asamblistë të PDK-së ngjalli debate të ashpra edhe sot në mes të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendose dhe të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se për lagjen e Badovcit ka pasur presion edhe nga Vetëvendosje.

***

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nisi dhe vazhdoi me debat të ashpër të mes të pozitës dhe opozitës.

Gjithçka nisi kur iniciuesi i kësaj seanca të jashtëzakonshme nga radhët e PDK-së, Leotrim Retkoceri kërkoi që rekomandimet për këtë seancë t’i paraqesë një nga përfaqësuesit e qytetarëve të pranishëm në seancë.

Kjo u kundërshtua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta i cili tha se kjo është shkelje procedurale dhe nuk mund ta lejojë një gjë të tillë.

Këtu nisi i gjithë debati dhe asamblistët e partive politike filluan debatin e tyre se duhet të lejohet një gjë e tillë, ndërsa më pas u dakorduan që rekomandimet t’i lexoj Ali Sefaj si përfaqësues i qytetarëve.

Sefaj tha se qytetarët janë të shqetësuar me gjendjen e krijuar dhe prezantoi rekomandimet për Kuvendin Komunal të Prishtinës e të cilat janë anulimi i vendimit të komunës së Prishtinës për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në Badovc, pezullimi i të gjitha vendimeve dhe procedurave të dhënies së kushteve ndërtimore dhe lejeve ndërtimore në zonën e parë, dytë dhe tretë mbrojtëse të Badovxti deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit, si dhe që të fillohen procedurat që zona përreth Badovcit të shpallet peizazh i mbrojtur duke u bashkuar me atë të Gërmisë.

Situata u tensionua kur në foltore doli i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili derisa dha sqarimet e tij me dhënien e kushteve ndërtimore për projektin në liqenin e Badovcit, theksoi se kërkesa e kompanisë ndërtuese ishte refuzuar dy herë nga komuna, por që zona e dytë e liqenit mbrohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Më pas Ahmeti tha se nëse vjen vendim nga Ministria e Mjedisit për pezullim të kushteve të lëshuara, ai atë vendim do ta zbatojë ‘për 5 minuta’.

Ahmeti: Për 5 minuta i tërheqim kushtet

“Qejfi im më i madh është që mos të lejohet ndërtimi në Badovc sepse i heq goxha do gajle prej ekzekutivit sepse kurrfarë interesi nuk kemi për t’i ndërtuar ato lagje. Me mund e qojmë rrethin edhe më tutje...Krejt në rregull që t’i ndalojmë, por sot kemi ligje në fuqi, plani zhvillimor komunal është në fuqi  dhe është minimum jetëgjatësi 8 vite, planet rregullative nuk lejohet të rregullohen pa kalua 5 vjet... Nuk ka gati asnjë ndërtim që është pa leje ose me leje rreth liqenit të Badovcit, zonën e dytë e mbron ministria, ne nuk ka gjasa as teorike për të lëshuar kurrfarë leje pas pasur vendim të gjykatës dhe po ju them po ashtu se nëse sot na e lëshon ministria vendimin për pezullim të kushteve që ia ka lëshua komuna, le të thonë ata komuna e ka shkelur ligjin - brenda 5 minutave i tërheqim kushtet sepse po e mbrojmë komunën nga paditë“, tha ai.

E këtu më pas reagoi asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi i cili tha se Ahmeti nuk pati guxim të dalë në debat publik për të dhënë sqarime rreth dhënies së kushteve për ndërtim në Badovc, por i menjëhershëm ishte reagimi i të parit të Prishtinës i cili i tha Azemi se përmes temave të tilla nuk mund të fitojë vota.

Debati u bë edhe ‘më i nxehtë’ kur asamblisti i Vetëvendosjes ia përmendi ngritjen e padisë kryetarit të Prishtinës i cili më pas tha si me ironi se po frikësohet.

Azemi: Shpend Ahmeti po e fajëson ministrinë

“Në çdo seancë sa herë që ke marrë pjesë edhe pse rrallë ke marrë pjesë vazhdimisht je arsyetuar për çdo kritikë që e ke marrë  edhe ke filluar të lëshosh propaganda të llojeve të ndryshme. Zotëri kryetar të kanë ftuar qytetarët në debat publik bashkë me ministrinë, ministri ka pranuar, ti nuk ke guxuar. Tash a e dinë çfarë loje jeni duke luajtur, ti e fajëson ministrinë...Ahmeti: Nuk është betejë politike që ti të fitosh vota o Egzon Azemi. Azemi: Nuk e kam dertin e votave o zotëri Ahmeti e kanë 30 mijë qytetarë brengën për Badovcin për të cilën hala nuk ke guxim me thanë që definitivisht keni të drejtë jam me juve, por për shkak të borxheve tuaja, se unë e di që keni hyrë në borxhe në momentin që je marr kaq shumë me këtë projekt. A e keni ditur se çfarë kushtesh po nënshkruhen. Ju e dini përgjegjësinë që e keni madje edhe vetë e thatë të mos bëhem objekt i padive, objekti i padive do të bëhe t me ose pa qefin tënd, sepse keni bërë shkelje. Unë jam duke u tutur shumë... Azemi: Jo ti më nuk po tutesh vetëm ki me mbajt përgjegjësinë”, u shprehen Azemi dhe Ahmeti në debatin e tyre të ashpër.

Ahmeti gjatë përplasjes me asamblistin Azemi ndër të tjerash tha se Lëvizja Vetëvendosje më së shumti i ka bërë presion për lagjen e Badovcit.

Ahmeti: Presioni më i madh për Badovcin ka ardhur nga Lëvizje Vetëvendosje

“Kërcënim është ajo po mendon se po tutna unë prej teje me kallëzime tuja penale lëri ato farë ‘fore’ nëse ke ardhur me mbrojtur Badovcin, mbroje Badovcin nëse do arenë diskutimi sa për të dalë në televizion, unë nuk ta jap atë kënaqësi... A po do të bësh propagandë apo për të ndalë ndërtimin, nuk po di presioni më i madh për këtë lagje më ka ardhur nga Vetëvendosja. A po do të flasësh a po kupton lërë këtë muhabeti, mos hi andej”,  u shpreh Ahmeti.

Gjatë këtij debati reagoi edhe asamblisjta e PSD-së Vala Peshku e cila tha se tha se PDK dhe VV po mendojnë të arrijnë poenë politikë duke e përdor këtë temë të ndjeshme.

Iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme nga radhët e PDK-së, Leotrim Retkoceri ka kërkuar sqarime dhe informata në lidhje me tendencat për ndërtime banesore në liqenin e Badovcit.  Ai tha se nuk do të lejojnë shkelje ligjore në këtë çështje.

Retkoceri: Qëllimi i seancës është të hidhet dritë mbi zhvillimet e fundit për Badovcin

“Qëllimi i thirrjes së kësaj seancës së jashtëzakonshme për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit  është që të hedhim dritë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me temën dhe të kthejmë rrugën institucionale të diskutimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo seancë është mundësi që qeverisja lokale dhe kryetari i saj të sqarohen për të gjitha rrethanat dhe në fund anëtarët e Kuvendit, asamblistët të votojnë në interes për qytetarët e Prishtinës në përputhje me kompetencat e tyre”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Halim Halimi tha se LDK kërkon pezullimin e këtij ndërtimi derisa të nxirren dokumentet e nevojshme të planifikimit.

Halimi: LDK kërkon pezullim të ndërtimit të lagjes në Badovc

“Është qëndrimi  i prerë dhe i qartë që të pezullohen ndërtimet në buzë të liqenit të Badovcit edhe atë derisa të nxirren dokumentet e planifikimit, Plani Zhvillimor Komunal, Urban por gjithsesi edhe Harta Zonale, prandaj këtu ka mendime të ndryshme realiteti është se qytetarët janë të shqetësuar për problemin e ujit të pijshëm në lagjen e Badovcit. Është kënaqësi të kemi në Prishtinë një projekt të tillë, mirëpo më jetike është çështja e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm”, u shpreh ai.

Ndërsa, seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga asamblistët e PDK-së për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nga ndërtimet është duke vazhduar, dhe në pjesën e dytë të debatit pritet të votohen rekomandimet, ku ndër kryesorët është pezullimi i vendimit për dhënien e kushteve ndërtimore për lagjen e Badovcit.

***

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës në të cilën po diskutohet për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit nga ndërtimet është duke vazhduar me debat të nxehtë në mes të kryetarit të komunës së Prishtinës, dhe asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se derisa Ministria ta lëshojë vendimin për anulimin e kushteve mjedisore, brenda 10 minutave do të anulohen të gjitha kushtet ndërtimore.

“Por detyrë e jona është  ta mbrojmë komunën e Prishtinës nga paditë. Pala nuk ka kërkuar leje për ndërtim pra edhe sot qefi jem më i madh është për të mos lejuar ndërtim në Badovc. Sot kemi ligje në fuq plani zhvillimor komunal është në fuqi minimum jetëgjatësi 8 vite planet rregullative nuk mund të ndryshohet minimum 5 vite ne mund të iniciojmë ndryshime të PSHK-së, por ka procedura  ligjore për to. Do të ishte mirë të gjejmë zgjidhje tjetër dhe të mos e lëmë aty po shkoj kjo seancë në gjykatë më mirë”, tha Ahmeti.

Asamblisti i VV-së  Egzon Azemi i tha kryetarit Ahmeti se vazhdimisht po arsyetohet për   çdo kritikë.

“Të kanë ftuar qytetarët në diskutim publik me ministrin, ai ka guxuar ti nuk ke guxuar. Këtu  zotëri kryetar e akuzon zotërinë ministër, ju do të bëheni  objekt i padive”, i tha Azemi kryetarit Ahmeti.

Por kryetari Ahmeti iu kundërvu Azemit duke i thënë se nuk frikësohet nga ato që ai i quajti kërcënime.

“Je mësu me kërcënu ,po menon që tutna me kallëzimet tua penale. Unë si kryetar komune po i ftoj të gjithë asamblistët në mënyrë ligjore t’i ndalim ndërtime rreth Badocit. Nuk  e akuzova askënd e aq më pak Ministrinë”, tha Ahmeti.

Seanca do të vazhdojë në orën 13:00.

***

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës ku po diskutohet lidhur me mbrojtjen e Liqenit të Badovcit nga ndërtimet.

Iniciuesi i kësaj seance nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri tha se qëllimi i kësaj seance është që të hidhet dritë dhe të sqarohen të gjitha procedurat rreth kësaj problematike.

“PDK  është për zhvillim të kryeqytetit dhe respekton pronën private por jemi të pa kompromis në mbrojtje të interesit publik. PDK  është kundër ndërtimeve që shkelet ligji”, tha Retkoceri.

Ai ftoi qytetarin, Ali Sefaj të shpreh mendimin e tij, por që ai nga kryesuesi  i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta nuk e lejoi duke thënë se kjo është shkelje e procedurave.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar asamblisti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani i cili tha është turp që qytetarëve të mos u jepet fjala.

Por ndaj fjalimeve në asamble kanë reaguar përfaqësues të LDK-së të cilët kanë thënë se kjo çështje nuk duhet të ngjyroset politikisht.

Asamblisti Agim Gashi thasë kjo seancë nuk është ftuar që të kundërshtohet projekti por të zgjidhet një problem që po i brengos të gjithë.

“Nuk jemi takuar të promovojmë politikat e partive politike prandaj unë e di që subjektet janë mbledhur të merren me problemin jo me programin e subjekteve politike”, tha Gashi.

Halim Halimi shefi i grupit të asamblistëve të LDK- së tha se mbështet që të pezullohen vendimet deri në nxjerrjen e planifikimit të dokumenteve pastaj të fillohet me procedurat.     

Vala Peshku kryesuese e asamblistëve të  PSD-së tha se është fatkeqësi që nëse asamblistët vazhdojnë me  ngjyrime politike. Sipas saj kjo çështje nuk mund të nis me poena politik. Seanca e jashtëzakonshme po vazhdon edhe në këto momente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat