Komuna e Prishtinës rifillon shujtat për 300 persona me gjendje të rëndë ekonomike - Bota Sot
Komuna e Prishtinës rifillon shujtat për 300 persona me gjendje të rëndë ekonomike

Prishtina

Komuna e Prishtinës rifillon shujtat për 300 persona me gjendje të rëndë ekonomike

Më: 19 mars 2020 Në ora: 14:23
Komuna e Prishtinës rifillon shujtat

Pas shfaqjes së koronavirusit në vendin tonë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në sektorin e shëndetit publik, janë shtuar kontrollet dhe masat mbrojtëse.

Me këtë raste, Komuna e Prishtinës, nga dita e sotme rifilloi shpërndarjen e shujtave të ngrohta ushqimore, në dy pika “Tophane” dhe “Aktash” të Prishtinës.

E aty u mblodhën një numër qytetarësh për t’u shërbyer me këto shujta, të cilat përmbanin, gjellë, sallatë, pemë dhe bukë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti deklaroi se nga sot të gjithë qytetarët të cilët janë në gjendje të rënd sociale-ekonomike do të furnizohen me shujta të nxehta ushqimi.

Sipas tije, shumë shpejt do të bëjnë një data basë me Ministrinë e Shëndetësisë, për t’u koordinuar se a do të vazhdojnë të shpërndajnë në këto pika apo do të kenë mundësi t’i dërgojnë këto shujta në shtëpi.

“Ju e dini që i kemi kuzhinat popullore tonat, të cilat i kemi mbyll para 5 ditëve sepse ka qenë rrezik, megjithatë i kemi zakonisht nga 150 persona 200 për çdo ditë që sigurojmë ushqim, sepse nuk kanë mundësi tjetër dhe nuk kemi pas mundësi me pritë më kemi vendos që shpërndarjen ta bëjmë, të ja japim njerëzve me vete. Janë dezinfektuar hapësirat, nuk mundet me hy askush brenda, do ta dezinfektojmë çdo ditë… të cilëve ju kemi siguruar vazhdimisht nga një shujtë të ngrohtë në ditë… Po e bëjmë shpërndarjen në dy pika këto dit do ta bëjmë edhe një data basë dhe e shqyrtojmë në bashkëpunim  me Ministrin e Shëndetësisë,  se a do të vazhdojmë kështu apo do të kemi mundësi t’i dërgojmë edhe në shtëpi”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti u zotua se, në komunën e Prishtinës nuk do të lejojë asnjë qytetarë të bëhet viktimë e situatës së krijuar nga koronavirusi.

Ndër të tjerash Ahmeti i bëri apel qeverisë, pasi që konsideron se Kosova wshtw futur në një gjendje të rëndë, e krejt kjo për shkak se nuk ka aktivitete ekonomike.

“Ajo që unë e kam brengën më të madhe dhe që i bëj apel qeverisë, është që ndoshta nuk po e kuptojnë se e kemi ndal ekonominë në stop, pra nuk ka shitje nuk ka aktivitet ekonomikë, nuk ka paga për një pjesë të madhe të punëtorëve, në vendet me pa barazi të madhe kjo godet në shtresën më të rrezikuar pra nuk e kam hallin, natyrisht e kam hallin  se biznesmenët nuk po e bëjnë profitin e vetë, por e kam hallin për atë punëtorin atje i cili merr pagë nga muaji në muaj dhe tash për një herë i vinë të gjitha faturat dhe nuk ka mundësi as me e kaluar muajin, nëse nuk bëhet një infuzion i ndihmës ekonomike nga shteti, unë e kam drojën që”, u shpreh Ahmeti.

Drejtori i Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, deklaroi se për të gjithë ata persona që kanë nevojë për shujta ushqimore të ngrohta, mund të drejtohen në dy pika Tophane dhe Aktash.

Kukaj theksoi se me këto shujta furnizohen rreth 300 persona mirëpo kapaciteti i shërbimeve është për 600 persona.

“Prej sot komuna e Prishtinës e ka rifilluar shpërndarjen e shujtave të ngrohta, për të gjithë ata njerëz që kanë nevojë të ushqehen deri në të shtunën e kaluar këto shujta është dashur që të hahen këtu, mirëpo prej sot e tutje është dashur që shujtat të merren me vete në shtëpitë e tyre, ne e kemi siguruar mjete përmes të cilave do të bartët ushqimi tek shtëpitë e tyre dhe i bëjmë apel të gjithë atyre që ndjehen se kanë nevojë për një shujtë të ngrohtë, të paraqiten në pikat tona të shpërndarjes që janë në Tophane dhe në Aktash…Ne aktualisht këtu në shujtat tona mesatarisht shërbehen rreth 300 persona mirëpo ne jemi të përgatitur për 600”, u shpreh Kukaj.

Ndryshe këto shujta do të shërbehen derisa të stabilizohet gjendja në Kosovë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat