​UP ofron ndihmë laboratorike në parandalimin e koronavirusit

Prishtina

​UP ofron ndihmë laboratorike në parandalimin e koronavirusit

Më: 16 prill 2020 Në ora: 17:38
Foto ilustrim

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, që nga përhapja e pandemisë COVID-19 në Kosovë, ka vënë në funksion resurset humane dhe ato materiale në ndihmë të institucioneve dhe komunitetit, me mision tejkalimin e situatës së krijuar sa më parë dhe me më pak pasoja.

Në kuadër të kësaj, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, ka kultivuar bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për t’i shërbyer interesit të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit publik.


“Fakulteti ynë ka përkrah IKShPK-në me kite për 500 mostra për ekstrahim të ARN-së së virusit në realizimin e metodës molekular-biologjike RT-PCR, si dhe me huazim të pajisjes Thermocycler për amplifikim dhe detektim të gjenomit të virusit”, tregon profesori Kurtesh Sherifi.

Ai njofton që, FBV-ja, po ashtu, i ka dhënë si huazim Institutit, për një kohë të pacaktuar disa pajisje laboratorike, si: centrifugë, termo-mikser, vorteks, pipeta dhe tri llamba UV për dekontaminim të kabineteve mikrobiologjike, aty ku testohen mostrat për analiza molekulare-biologjike me RT-PCR.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka shprehur vullnetin që në rast të nevojës mund të shërbejnë edhe me staf profesional, të cilët mund ta ndihmojnë Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare në kuadër të institutit, në testimin e mostrave të pacientëve me SARS-CoV-2.

UP vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat