Miliona euro borxh në Ujësjellësin e Prishtinës gjatë pandemisë, paralajmërohen shkyçje - Bota Sot
Miliona euro borxh në Ujësjellësin e Prishtinës gjatë pandemisë, paralajmërohen shkyçje

Prishtina

Miliona euro borxh në Ujësjellësin e Prishtinës gjatë pandemisë, paralajmërohen shkyçje

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 08:53
Ilustrim

Vlera e borxheve të qytetarëve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” nga fillimi i pandemisë e deri më tani sillet rreth 1.4 milionë euro.

Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

Xhafa ka thënë se prej fillimit të pandemisë ka pas edhe rënie të madhe të pagesave, sidomos gjatë izolimit.

“Por sa i përket borxheve fatkeqësisht si në çdo kompani tjetër qytetarët edhe te ne kanë reflektuar me mospagesa duke e ditur situatën pandemike dhe nëse flasim prej marsit atëherë kur ka filluar masat më serioze të pandemisë borxhi që është akumuluar në këtë tre muaj flasim për mars, prill dhe maj është afërsisht 1.4 milion si borxh i akumuluar i konsumatorëve që nuk kanë arrit t’i paguajnë faturat e ujit”, ka thënë ndër të tjera ai për EO.

Ai ka thënë se për kompaninë është shqetësuese mospagesa e faturave. Sipas tij, një pjesë e madhe e investimeve kapitale janë stopuar.

“Për neve është shqetësim si kompani mos pagesat sepse ne si kompani shërbyese nuk është se jemi kompani profitabile për shkak se tarifat që na i përcakton autoriteti rregullator na i përcakton vetëm si tarifa më të cilat mbulohen vetëm shpenzimet operative dhe një pjesë e investimeve kapitale”.

“Kjo ka reflektuar që një pjesë të investimeve kapitale t’i stopojmë e që për fat të keq në momentin që stopohen investimet kapitale kjo rrezikon edhe vet asetet ose rrezikon qëndrueshmërinë e vazhdimit të furnizimit me ujë. Ne i lusim qytetarët që t’i bëjnë pagesat sepse të gjitha këto pagesa konvertohen në  investime dhe shërbime më të mira për qytetarët”.

Xhafa thotë se gjatë pandemisë nuk kanë shkyçur asnjë konsumator, por nuk e përjashton që kjo të ndodh në këtë periudhë, duke shtuar se liqenet akumuluese kanë pësuar rënie të vazhdueshme dhe se rrezikohet të ketë edhe reduktime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat