Gashi: Nuk përjashtohet mundësia që Prishtina të rikthehet në karantinë

Prishtina

Gashi: Nuk përjashtohet mundësia që Prishtina të rikthehet në karantinë

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 12:10
Bujar Gashi

Nga një qershori deri të hënën më 15 qershor në Prishtinë 132 persona kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus. Përderisa nga 20 marsi e deri më 31 maj ishin gjithësie 85 raste.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, në një intervistë për media ka thënë se deri më tani asnjëherë nuk ka pasur më shumë se 30 qytetarë aktiv pozitiv me Coronavirus.

“Realisht këtë e kemi pritur që nga lirimi i masave dhe nga kjo që po shohim ka rënë vullneti i zbatimit të masave në të gjitha pjesët, kthimi i qytetarëve në vendet e punë, rifillimi i funksionimit të institucioneve të mëdha të cilat kanë numër të madh të punëtorëve. Javën e fundit kemi numër rekord të rasteve që testohen por që marrin mostra”.

Gashi foli edhe për menaxhimin e situatës me Coronavirus, duke thënë se janë të përgatitur për çdo valë të re. Ai nuk përjashton edhe karantimin e Prishtinës, nëse do të ketë rritje të rasteve me Coronavirus.

“Situata është e menaxhueshme, ne jemi të përgatitur edhe për numër më të madh të rasteve, mirëpo varësisht prej situatës epidemiologjike dhe si do të vazhdojë në të ardhmen, atëherë do t’i rifomatizojmë prapë dhe do të bëjmë ndryshime duke e tërhequr stafin në të cilët nuk kanë shumë raste sepse gjatë pandemisë kemi pasur fluks më të vogël të njerëzve”.

“Nëse do të kemi situata të ngjashme atëherë prapë do ta përdorim këtë formulë sepse ka rezultuar të jetë e suksesshme dhe  nuk e kemi asnjë rast nga stafi me Coronavirus. Në çdo moment jemi duke dhënë këshilla dhe rekomandime edhe te qytetarët edhe te institucionet se si duhet të zbatohet masat  duke u bazuar në deklaratat e ekspertëve të cilët thonë se duhet të ruhet distanca, bartja e maskës dhe pastrimin i duarve. Nëse këto i zbatojmë do të kemi numër më vogël të rasteve”, shtoi Gashi.

Mes tjerash, Gashi tha se Komuna e Prishtinës është duke zbatuar të gjitha rekomandimet që janë në nga IKShPK-ja dhe ministria e Shëndetësisë.

“Komuna e Prishtinës zbaton të gjitha rekomandimet që janë në funksion nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, duke iu përmbajtur në përgjithësi sa i përket institucioneve publike në zbatimin e këtyre masave, kryesisht në institucionet shëndetësore personeli është i pajisur me masat mbrojtëse”.

“Ndërsa ata të cilët vijnë për të kërkuar shërbime shëndetësore janë të obliguar që të kenë pajisje mbrojtëse, kështu që të njëjtën gjë e zbaton edhe Komuna e Prishtinës në institucionet publike dhe shpresojmë që të gjithë qytetarët të zbatojnë këtë rregull sepse është e vetmja mundësi që na ka mbetur që të largojmë Coronavirusin”.

“Në përgjithësi edhe inspektorati edhe policia rajonale janë në mbikëqyrje të objekteve të tjera dhe institucioneve të tjera në zbatimin e këtyre masave”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat