Universitetit të Prishtinës i vazhdohet akreditimi edhe për pesë vjet

Prishtina

Universitetit të Prishtinës i vazhdohet akreditimi edhe për pesë vjet

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 14:09
Foto Ilustrim

Në mbledhjen e datës 25 qershor 2020, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Republikës së Kosovës ka analizuar dhe votuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë mbi vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Sipas votimit të KSHC-ja, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është riakredituar për pesë vjetët e ardhshëm.

Ndonëse e konsideron si vendim të pritur, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, shprehet i lumtur që UP ka marrë vlerësim të lartë nga ekspertët ndërkombëtarë dhe është votuar për akreditimin e tij edhe për gjysmë dekade.

Për këtë vendim të rëndësishëm, Dema uron studentët, stafin dhe të gjithë qytetarët.

“I gëzohem shumë vendimit të KShC-së, për riakreditimin e UP-së edhe për pesë vjet. Ashtu si vendimi, edhe vlerësimi në detaje i performancës së UP-së, kanë konstatuar që UP-ja ka shënuar përparime të mëdha dhe vazhdon të jetë institucion lider i arsimit të lartë. Me këtë rast, përzemërsisht i uroj studentët, profesorët, stafin akademik dhe gjithë qytetarët e këtij vendi, sepse Universiteti i Prishtinës është i të gjithëve “, njofton Universiteti i Prishtinës.

Përveç urimeve, rektori Dema falënderoi stafin akademik dhe administrativ, menaxhmentet e fakulteteve, studentët dhe partnerët për punën e palodhshme të bërë për ngritjen e cilësisë së institucionit, si dhe akreditimin e tij në veçanti.

Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës është zhvilluar në maj të këtij viti, duke qenë njëherësh i pari institucion vendor i vlerësuar përmes një procesi të mbajtur tërësisht online.

Për riakreditimin e Universitetit, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, si dhe nivelin e studentëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat