Nën ethet e koronavirusit, pishina e Gërmisë hap dyert me masa të rrepta - Bota Sot
Nën ethet e koronavirusit, pishina e Gërmisë hap dyert me masa të rrepta

Prishtina

Nën ethet e koronavirusit, pishina e Gërmisë hap dyert me masa të rrepta

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 17:13
Pishina e Gërmisë, foto arkiv

Konfuzioni se a do të hapet pishina e Gërmisë apo jo, mori fund duke u bazuar në masat e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila doli me rekomandime të reja.

E njëra prej prej tyre ja dha dritën jeshile hapjes së pishinave për të filluar operimin.

Numri i madh i infektimeve me Covid 19, e sidomos rasteve aktive në Prishtinë nuk u bë problem për hapjen e kësaj pishinës së Gërmisë  që ndodhet në fillim të këtij parku më të frekuentuar në kryeqytet.

Planifikimi ishte bërë që ajo të lëshohet rreth datës 10 qershor, ashtu si rëndom. Por, kjo qe e pamundur për shkak të rrjedhës së pandemisë e që e shtyu hapjen deri më 2 korrik.

Duke u bazuar në masat e fundit të Qeverisë së Kosovës rreth situatës së fundit me pandeminë COVID-19, nga sot pishina e Gërmisë ka hapur dyertë nga ora 10:00, megjithatë disa qytetarë ende janë skeptik se a të vizitojnë pishinën apo jo, pasi sipas tyre akoma egziston mundësia e madhe që të infektohen.

“Unë për vete jam skeptike se edhe pse u bë nxehtë, nuk guxoj me shku në pishinë të Gërmisë për shkak të rasteve që po rriten. Bile, ata kanë thënë që i nxehti e mbyt këtë virus, po, po del krejt e kundërta, rastet veç po rriten. Nëse ata na sigurojnë që kanë me marrë masa, ndoshta edhe kisha shku, po për momentin as që kaloj andej” tha Atdhetare Gashi për Syri.net.

Por, ka edhe prej atyre që hapjen e pishinave nuk e shohin si problem shumë të madh, megjithatë ka një sygjerim.

“Mirë kanë bë që i kanë hap, mirëpo ia kisha sygjeru që fëmijët mos mi leju me hy, pasi ata nuk do kenë mundësi të i respektojnë masat ndaj koronavirusit. Kish me qenë mire poashtu mos me i leju me hy në pishinë ma shumë se 50-100 veta edhe para se me hy me i kontrollu një infermier se a kanë shenja të virusit”, u shpreh Ardit Bajra.

E, se përgaditjet e nevojshme nën respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së, janë bërë gati, e konfirmon edhe Liridon Llapashtica kryeshef i ndërmarrjes Publike “Sport Marketing”,  që ka nën menaxhim pishinën e Gërmisë.

Ai thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nëvojshme për të respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Llapashtica tutje thotë se interesimi i qytetarëve është mjaft i madh, derisa siguron se të gjithë vizitorët e pishinës janë të vetëdijshëm për masat mbrojtëse.

“Fillimisht, gjatë ditës së djeshmë një pjesë e qytetarëve ka qenë në konfuzion për shkak se dje ka pas të hapet pishina, mirëpo për shkak të rekomandimeve të Qeverisë është shty për sot. Një pjesë e madhe e qytetarëve që kanë vizutar sot pishinën e Gërmisë kanë qenë shumë të disiplinuar me maska dhe duke respektuar distancën fizike”, ka dekaruar Llapashtica.

Sipas tij, distanca fizike mes çadrave  është mbi 2 metra.

“Distanca fizike po respektohet,  ku mes çadrave kemi mbi dy metra distancë. Dezinfektimi i pishinës tashmë veçse është bërë, uji ka klor vazhdimisht dhe pothuajse në çdo cep kemi të vendosura dezinfektues. Poashtu sa i përket situatës kemi mjekun, autoambulancën si dhe infermierin. Thjeshtë gjithqka është në nivelin e duhur”, thotë ai.

Derisa të njëjtën gjë e pohon edhe Adelina Fazliji, njëra nga aksionarët e ndërmarrjes publike “Sport dhe Marketing”, e cila e menaxhon këtë pishinë.

Fazliji tutje tregon se çmimet për futjen në pishinë do të jetë për të rritur 2 euro, gjersa për fëmijë vetëm nga 1 euro.

“Po, pishina është hapë. Çmimet janë 2 euro për të rritur, dhe 1 euro për fëmijët”, deklaron ajo.

Kujtojmë që pishina e Gërmisë, është destinacioni i vetëm ku prishtinasit mund të gjejnë relaksin ditët e nxehta të sezonës së verës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat