“Trafiku Urban” humb rreth 700 mijë euro për shkak të pandemisë - Bota Sot
“Trafiku Urban” humb rreth 700 mijë euro për shkak të pandemisë

Prishtina

“Trafiku Urban” humb rreth 700 mijë euro për shkak të pandemisë

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 09:06
Foto Ilustrim

Afro 700 mijë euro llogariten të jenë humbjet e kompanisë “Trafiku Urban”, si pasojë e mosqarkullimit për gjatë muajit prill dhe muajit maj nga ndalimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Transportit Urban në Prishtinë, Lulzim Rexhepaj ka thënë se komuna e Prishtinës ka ndihmuar këtë ndërmarrje duke iu paguar pagat e muajit prill.

“Dëmet janë të mëdha dhe kapin shumën mbi 700 mijë euro për muajin prill dhe më shumë se gjysmë e muajit maj. Ne si ndërmarrje komunale ju kemi drejtuar komunës së Prishtinës për ndihmë dhe komuna na u ka përgjigj pozitivisht me pagat e muajit prill dhe me këtë rast e falënderojmë në emër të gjithë familjarëve dhe punëtorëve, se komuna me pagesën e pagave për muajin prill ka bërë që punëtorët të ndihen mirë dhe më rahat, ndërsa në muajin maj kemi filluar dhe kemi gjeneruar mjete për paga dhe për shpenzime operative”.

Rexhepaj thotë se në këtë ndërmarrje nuk është i prekur asnjë punëtor me koronavirus, por tha se dyshime ka pasë vazhdimisht për shkak të kontakteve të ndryshme familjare, por të gjithë janë dërguar në vetizolim.

“Fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur të infektuar, kemi pasur dyshime vazhdimisht dhe kjo ka rrjedhë nga kontaktet e ndryshme familjare por kemi marr masa që i kemi dërguar në vetizolim”.

Ai ka pohuar se në autobusët e trafikut urban po respektohen në përpikëri të gjitha masat dhe rekomandimet që janë në fuqi. Megjithë se ka pasur rezistencë nga qytetarët, ai thotë se janë të kënaqur me mirëkuptimin e tyre.

Rexhepaj ka thënë se në këtë kohë lejohen vetëm 20 udhëtarë në autobusët e trafikut urban.

“Në autobusët e trafikut urban po respektohen me përpikëri të gjitha masat dhe rekomandimet që janë në fuqi, ndoshta ka pasur pak rezistencë nga qytetarët nga një numër i vogël, dhe deri më tani jemi shumë të kënaqur me mirëkuptimin që e kemi gjetur te qytetarët dhe ndonëse është pak e vështirë sepse operojmë me kapacitet të reduktuar sepse ne lejojmë vetëm 20 udhëtar dhe në shumë rast duhet të mbyllet dera të mos lejojmë udhëtar të tjerë dhe deri më tash kemi kaluar mirë”.

“Siç po shihet me rritjen e numrit të rasteve po e paragjykojmë se kjo situatë do të zgjasë dhe ne nuk jemi ata që përcaktojmë masat dhe por po shihet që do të zgjasë, por duhet të mësohemi dhe të edukohemi që në të ardhmen të punojmë në këtë mënyrë ta vazhdojmë jetën dhe aktivitetet jetësore”.

Teksa ka folur për parandalimin e pandemisë, Rexhepaj bën apel te qytetarët që t’i respektojnë masat ndaj koronavirusit.

“Situata pandemike ka krijuar probleme edhe tek ne ashtu si njësoj edhe te të gjithë institucionet e vendit, por duhet të vazhdojmë të jemi të fortë dhe të jemi unik duke i respektuar masat që jepen nga institucionet përgjegjëse”.

“Fillimisht gjatë muajit mars kemi bërë reduktimin e stafit pastaj ishte ajo periudha kur në muajin prill u ndërpre plotësisht aktiviteti i ndërmarrjes tonë, dhe rifilluam dhe e nisëm punën me 18 maj dhe vazhdojmë ende të operojmë sipas masave që janë në fuqi”, tha ai për EO.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat