Dështon gjykimi ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për shpronësime të paligjshme

Prishtina

Dështon gjykimi ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për shpronësime të paligjshme

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 16:41
Gjykimi

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani deklaroi se për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Kuka-Mekaj, nuk mund të mbahet seanca e së martës.

Ndërsa për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19, e njëjta njoftoi se seanca do të shtyhet në afat të pacaktuar.

Ndryshe në seancën e kaluar të mbajtur me 24 qershor 2020, kishin dhënë deklaratë dy të dëmtuarit Naim Rrustemi dhe Ilir Rama, të cilët kishin deklaruar se Komuna e Prishtinë ua kishin shpronësuar pronën në mënyrë të paligjshme, duke ia kaluar pronën e tyre në pronësi të komunës pa i përmbushur kushtet ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 15 nëntor 2018, tre të akuzuarit kishin vënë nënshkrimet e tyre në parashtresën e datës 28 tetor 2014, të përpiluar nga e akuzuara Byqmeti, zyrtare e lartë për pronësim e shpronësim në Drejtorinë e Financave dhe Pronës në Komunën e Prishtinës, ndërsa i akuzuari Visar Berisha, në cilësi të drejtorit të Drejtorisë së Financave dhe Pronës dhe Shemsedin Thaqi, në cilësi të shefit të sektorit të pronës në këtë drejtori kishin shprehur pajtimin e përbashkët me të akuzuarën Byqmeti që të kërkohet depozitimi i mjeteve financiare në xhirollogarinë e mirëbesimit në Bankën Qendrore të Kosovës, në emër të Komunës së Prishtinës për kompensimin e parcelës kadastrale nr. 756-5, Zona Kadastrale, Matiqan, sipas vendimit të kryetarit të Komunës të datës 27 qershor 2013.

Po ashtu, thuhet se me parashtresën e 11 nëntorit të vitit 2014, dy të bashkëpandehurit Visar Berisha dhe Shemsedin Thaqi duke vënë nënshkrimet e tyre në kërkesën e të akuzuarës Byqmeti kanë shprehur pajtimin e plotë të përbashkët me të që të bëhet edhe regjistrimi në operatin kadastral të pjesëve të parcelave kadastrale nr.754-2, nr. 756-12, 756-13, 756-5 ,756-4 dhe 756-8, zona kadastrale Matiqan, në emër të Komunës së Prishtinës, sipas vendimeve përfundimtare të datave 27 qershor 2013 dhe 22 korrik 2013, me të cilat vendime është miratuar shpronësimi i parcelave sipas listave të bashkëngjitur me këto vendime “për arritjen e qëllimit dhe përfitimit të ligjshëm publik”, që sipas planit rregullues “Mati 1” ishte paraparë realizimi i projektit të ndërtimit të rrugës “Enver Maloku Faza-2”, edhe pse parcelat e tilla sipas dokumentacionit kadastral nuk kanë qenë pronë shoqërore, por pronë private e të dëmtuarve Emine Rrustemaj, Nasim Rrustemit dhe Ilir Rrustemit, me çka tre të pandehurit nuk kanë respektuar dispozitën e nenit 26 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, duke prekur kështu të drejtat pronësore të të dëmtuarve, meqë vendimet e mësipërme të shpronësimit janë zbatuar para se plotësohen kushtet ligjore, sipas nenit 16 të këtij ligji.

Kjo sipas akuzës, ngase paraprakisht nuk ishte bërë pagesa e plotë e shpronësimeve si kusht për ndryshimet e mëvonshme kadastrale për bartjen e pronës, por janë deponuar 370 mijë euro nga Komuna e Prishtinës, në xhirollogarinë e mirëbesimit në emër të të dëmtuarve në BQK, më 29 tetor 2014, ku nuk është llogaritur edhe interesi prej 7%, e cila përqindje thuhet se arrin rreth 50 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat