Përfundon asfaltimi i Veternikut, Abrashi paralajmëron investime të reja

Prishtina

Përfundon asfaltimi i Veternikut, Abrashi paralajmëron investime të reja

Më: 21 korrik 2020 Në ora: 14:27
Arban Abrashi

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, vizitoi përfundimin e punimeve në zgjerimin e rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës, nga ana e Veternikut.​

Ai tha se kjo rrugë është e rëndësishme për kryeqytetin, pasi rregullimi i saj dhe zgjerimi do ta ndihmojë funksionimin më të mirë të komunikacionit.

“Ky projekt ku brenda ditës kalojnë dhjetëra mijëra vetura, tani po e merr dhe formën pas një investimi të madh dhe tejet të rëndësishëm për Prishtinën. Sot po e hapim për qarkullim këtë pjesë të rëndësishme të rrugës së Veternikut, në mënyrë që t’iu ofrojmë kushte më të mira për qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës, pas një periudhe të gjatë të punimeve. Ne do të ndërhyjmë edhe në pjesën tjetër, që kjo rrugë me 4 korsi do të merr dhe një shtresë të re të asfaltit” tha ministri Abrashi.

Ai shtoi se kjo rrugë do të jetë arterie e kryesore për kryeqytetin, duke paralajmëruar se në këtë pjesë do të bëhen investime të reja.

“Pas një periudhe shumë të gjatë dhe disa vite pritjeje që të kryhen disa pjesë teknike, do të marrë formë të shkëlqyer. Do të ndërhyjmë edhe në pjesët tjera për asfaltim në dy korsitë tjera. Inxhinierët e ministrisë janë duke punuar për ndërtimin e një ure e cila do ta lidh lagjen Kalabria me lagjen e Spitalit, por që janë projekte afatmesme e që kemi filluar t’i projektojmë”, tha Abrashi.

Ky projekt që është përfunduar e ka edhe trotuarin dhe shtegun për çiklistët.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat