Qytetarët e vendit tonë, ka më shumë se pesë muaj që kur po ballafaqohen me pandeminë COVID-19.
Ky virus që ende mbetet enigmë, jo vetëm që ka prekur institucionet shëndetësore e ekonominë, por ka ndikuar tej mase edhe në mënyrën e jetesës.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë verë atmosfera verore, duket krejtësisht e zymtë.
Edhe Liqeni i Gërmisë, e nisi shumë vonë punën për qytetarë, ani pse është një vendet më të preferuara të prishtinasve, por edhe banorëve përreth për t’u relaksuar në ditët me diell.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, i cili e menaxhon këtë pishinë, Liridon Llapashtica, duke folur rreth hapjes së këtij liqeni këtë vit, thotë se hapësira e madhe dhe uji i pastër ka bërë Pishina e Gërmisë të mbetet një ka opsionet më të mira për rekreacion.
“Liqeni i Germisë ka hapur dyert me 2 korrik 2020, dhe vazhdon të jetë i hapur për gjithë qytetarët që kanë dëshirë të freskohen dhe të ekspozohen para diellit.
Pishina e Gërmisë ofron një peisazh të jashtëzakonshëm. Është në hyrje të Parkut Nacional të Gërmisë, dhe është i rrethuar me gjelbërim. Ofron hapësirën më të madhe për rekreacion. Uji i pishinës së Gërmisë është më i pastërti prej pishinave në Kosovë, këtë e thonë analizat e IKSHP-së”, thotë ai.
Llapashtica shton se pandemia ka krijuar një konfuzitet tek qytetarët, por që interesimi nuk mungon për ta frekuentuar këtë pishinë, marrë parasysh edhe rekomandimet e IKSHPK-së dhe OBSH-së që po respektohen në përpikëri.
“Edhe pse është krijuar një konfuzitet te qytetarët, ka qytetarë të interesuar që po frekuentojnë ambientet e pishinës për notë dhe freski.
Rekomandimet e IKSHP-së dhe OBSH-së po respektohen në përpikëri nga stafi. Qytetarët janë të disiplinuar dhe po respektojnë masat 100% pasi po kujdesen për shëndetin e tyre.
Pandemia ka shkaktuar dëme tek Ndërmarrja “Sport Marketing”, siç kanë goditur edhe bizneset private. Po kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës shpresojmë të na qëndroj mbrapa në këtë kohë të vështirë që po kalon e gjithë Kosova”.
Krejt në fund ai thotë se ditët e vikendit vazhdojnë të mbesin të preferuarat për ta vizituar dhe për t’u freskuar në Pishinën e Gërmisë.
Ndryshe, të enjtën që lamë pas, në këtë pishinë qytetarët patën mundësi të hyjnë pa pagësë nga ora 10:00 deri në 11:00.