Me gjithë paqartësitë, nga nesër nisin punën disa çerdhe private në Prishtinë - Bota Sot
Me gjithë paqartësitë, nga nesër nisin punën disa çerdhe private në Prishtinë

Prishtina

Me gjithë paqartësitë, nga nesër nisin punën disa çerdhe private në Prishtinë

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 21:46
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës në vendimin e saj të nxjerrë pas mbledhjes së datës 28 korrik, kishte shfuqizuar vendimin e 13 korrikut ku u pezullohej veprimtaria e çerdheve në institucione publike e private, ndërsa me gjithë paqartësitë e ditëve të fundit bëhet e ditur se disa çerdhe private nga nesër fillojnë punën.

Kështu është njoftuar përmes një postimi në Facebook, nga Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private (AIPP), ndërsa shumë çerdhe kanë shpërndarë këtë njoftim, duke bërë të ditur se do të nisin punën.

“Derisa në disa vende kanë filluar punën çerdhet/kopshtet, ju njoftojmë se hapja do bëhet sipas udhëzimeve institucioneve vendeve veç e veç”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ditëve të fundit kishte paqartësi sa i përket hapjes ose jo të çerdheve private në Komunën e Prishtinës.

Këto paqartësi u krijuan pasi Qeveria e Kosovës la në përgjegjësinë e Komunave, hapjen e këtyre institucioneve.

Në lidhje me këtë kishte reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili kishte thënë se çerdhet private nuk licencohen, nuk regjistrohen, nuk mbikëqyren dhe nuk hapen e mbyllen nga komunat.

Në këtë kohë pandemie Ahmeti thotë se është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit funksionimi apo mosfunksionimi i tyre, por assesi e komunave.

Pas kësaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka dal me sqarim për media.

Në njoftim thuhet marrë parasysh situatën e krijuar me COVID- 19, të gjitha Institucionet publike (përgjegjëse), duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, që ndërlidhet pikërisht me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat