​PDK: Komuna e Prishtinës po rrezikon jetën e banorëve në Kalabri

Prishtina

​PDK: Komuna e Prishtinës po rrezikon jetën e banorëve në Kalabri

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 13:51
Leotrim Retkoceri dhe Suzana Vuçiterna-Kika

(E plotësuar) - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prishtinë, ka kritikuar komunë e Prishtinës për mosvendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, duke thënë se po rrezikohet jeta e fëmijëve, shëndeti i qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimi i bizneseve.

Drejtues të PDK-së, kërkuan që kolektori i ujerave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje.

Leotrim Retkoceri, asamblist në Kuvendin e Prishtinës, në një konferencë për media, tha se

Retkoceri: Ujërat e zeza po rrezikojnë jetën e qytetarëve

“Është absurde se si në mes të zemrës së Prishtinës, ka lagje të tilla ku kundërmojnë erërat e zeza dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve. ....Nëse nuk do t’i marrin këto kërkesa, ne si grup i PDK-së në Kuvendin komunal do të organizohemi në çdo formë që ky projekt të realizohet sa më parë, për shkak se këtu kemi të bëjmë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, që preket drejtpërdrejt dhe rrezikohet nga ky kolektorë”, tha ai.

Suzana Vuçiterna-Kika, asambleiste në komunë, tha se mungesa e kolektorit për ujërat e zeza kanë dëmtuar bizneset. Sipas saj, restorantët nuk mund ta shfrytëzojnë hapësirën e jashtme.

Ajo tha se edhe fëmijët janë të rrezikuar të bien në gropa të thella.

Vuçiterna-Kika: Kolektori i ujërave të zeza duhet urgjentisht të vendoset

“Mosveprimi për vendosjen e kolektorit në lagjen Kalabria në Prishtinë, po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve. Kolektori i ujërave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje”, tha ajo.

Banori i kësaj lagje, Ismet Cani thotë se ndaj qytetarëve të kësaj lagje po ndodh një krim.

Cani: Mosveprimi për eliminimin e rrezikut të shëndetit të qytetarëve, është vepër penale

“Problemi i ujerave të zeza në lagjen Kalabrija, është problemi më i madh momental i qytetit të Prishtinës, i cili në vete përmban rrezikimi e jetës së njerëzve për shkak të kundërmimit shumë të rënda. Ne kemi pas kontakte që nga fillimi i mandatit të pari të kryetarit aktual, i cili nuk ka marrë diçka konkrete.... mosveprimi i personave të autorizuar për eliminimin e rrezikut të shëndetit të qytetarëve, është vepër penale. Ne një ditë mund edhe ta humbim durimin”, tha ai.

***

Sot, Partia Demokratike në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media ku ka folur për mungesën e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen Kalabria.

Asambleisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri e konsideroi të pafalshme që të gjitha qeverisjet komunale që kanë udhëhequr deri tani me Prishtinën ua kanë kthyer shpinën qytetarëve dhe i kanë lënë ata të përballen me qindra probleme.

“Po shohim këtu lagjen Kalabria ku qytetarët e saj janë lënë nën kundërmimin e erërave të ujërave të zeza. Premtime të pafundme, i janë dhënë kësaj lagjeje nga të gjitha partitë që kanë udhëhequr me kryeqytetin, si nga LDK-ja ashtu edhe nga LVV-ja. Ndërsa, qeverisja aktuale karakterizohet me zvarritje të pafundme të punimeve, ku 180 ditë të caktuara për secilin projekt të nisur nuk përfundojnë para 3 apo 8 viteve.”, deklaroi ai.

Asambleistja e PDK-së Suzana Vuqitërna Kika tha se mosveprimi nga ana e komunës për vendosjen e kolektorit po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve në lagjen Kalabria.

“Unë jam e shqetësuar për fëmijët e kësaj lagjeje që dalin të luajnë dhe shkojnë në shkollë në këtë periudhë kur ka reshje të shpeshta të shiut. Ata rrezikojnë të bien në gropat e thella me ujë dhe paramendojeni se çfarë mund të ndodhë.
Kjo gjendje është tejet e rrezikshme për shëndetin e secilit banor të lagjes Kalabria, sepse ekziston rreziku i përhapjes së infeksioneve ose ndonjë epidemie pikërsht nga kundërmimi i ujërave të zeza.”, thotë Vuqitërna-Kika.

PDK në Prishtinë kërkon nga qeverisja komunale që ta përfundojë kolektorin mbi lumin Mat dhe lumin Prishtina brenda këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat