Prishtina, performancë të dobët në 3 muajt e fundit

Prishtina

Prishtina, performancë të dobët në 3 muajt e fundit

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 21:18
Komuna e Prishtinës

Punime të shumta ka gjithandej nëpër Prishtinë, por ato aktualisht paraqesin performancë jo të mirë për Komunën e Prishtinës.

Nga të gjitha shpenzimet, sipas një raporti të kryetarit Shpend Ahmeti, për 3 muajt e fundit më së paku janë shpenzuar në investime kapitale apo vetëm 11 për qind.

Arsyetimin në raportin e tij, Ahmeti e ka lidhur me pandeminë dhe ndikimin nga ajo, raporton ktv.

“Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar me një normë jo shumë të kënaqshme. Ato arritën shumën 5,698,136.83 €, që është 11.44 % e planit gjatë kësaj periudhe të vrojtuar, të cilat kanë regjistruar rritje prej: 1.022,676.69€ krahasuar me shpenzimet në këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019, apo rritje prej: 21.87 % në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Rënia e të hyrave vetjake ka shënuar rënie prej 15.19 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë me 1 milion e 356 mijë euro më pak”, thuhet në raport.

E derisa vendi ka hyrë në vit zgjedhor në nivel lokal, Komuna e Prishtinës këtë vit megjithatë ka punuar më shumë sesa vitin e kaluar, ku në periudhën e njëjtë të 2019-s kishte shpenzuar vetëm 5.48 për qind të buxhetit për shpenzime kapitale.

Keq Komuna e Prishtinës qëndron edhe me të hyra vetjake. Në pandemi qytetarët kanë paguar më pak tatim në pronë, faturë mbeturinash e të tjera krahasuar me vitin 2019, duke bërë që të ketë rënie prej 15.19 për qind në arkëtim të të hyrave.

Shumica e të hyrave janë nga infrastruktura rrugore, taksa për automjete motorike, taksa për transaksion në pronë dhe taksat për leje ndërtimi.

“Ndikimi i gjendjes së pandemisë COVID-19, që ka prekur periudhën korrik – shtator/2020 ka bërë që të mos arrijmë ta realizojmë planin e paraparë për këtë periudhë. Shpresojmë që gjatë muajve të ardhshëm, me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, të kemi një rritje në mbledhjen e të hyrave tatimore dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave vetjake nga të gjithë dikasteret që bëjnë mbledhjen e tyre. Komuna e Prishtinës ka planifikuar gjithsej 29,258,367.00 € të hyra vetjake për vitin 2020, prej të cilave në tremujorin e tretë ka realizuar 25.90%”, thuhet në raport.

Edhe në procese gjyqësore, kryeqyteti ka humbur shumë raste duke u detyruar të paguajë kompensime dëmi e borxhe të ndryshme.

Në total, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës korrik - shtator 2020, ka shpenzuar gjithsej 19,339,767.25€, ndërkohë gjatë periudhës janar – shtator ka shpenzuar gjithsej 49,100,015.70€.

Mbi 120 milionë euro ka pasur në arkën e saj qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti, këtë vit prej të cilave mbi 27 milionë euro i ka bartur nga mosrealizimi i projekteve viteve paraprake.

Trendi i bartjeve mund të vazhdojë edhe këtë vit ngase në total Komuna ka shpenzuar mbi 68 milionë euro, derisa deri në fund të vitit në dispozicion ka mbi 52 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat