Paditësja kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Prishtinës thotë se nuk ka linjë buxhetore

Prishtina

Paditësja kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Prishtinës thotë se nuk ka linjë buxhetore

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja Begije Cukaj po kërkon nga e paditura Komuna e Prishtinës, kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse.

Lidhur me këtë rast, në seancën e së martës, është dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditëses, avokati Feriz Gërvalla në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me provat e administruara vërtetohet në mënyrë të padyshimtë besueshmëria e kërkesëpadisë, andaj ai ka kërkuar nga gjykata që padia të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Tutje, Gërvalla ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura që paditëses, t’ia kompensojë tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse në shumën të përgjithshme prej 2,820.30 euro, me kamat vjetore prej 8 % nga dita e padisë e deri në marrjen  e vendimit.

Sa i përket përgjigjes në padi të të paditurës, Gërvalla i ka kundërshtuar pretendime e cekura në përgjigje, si dhe ka thënë se i konsideron plotësisht të pa bazuar me arsyetimin se me dispozitat e nenit 52 dhe 53 te Kontratës Kolektive të vitit 2014 parashihet njohja e të drejtës që kërkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, Gërvalla i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për padi, taksën për padi, si dhe për prezantimi në një seancë,dhe atë sipas TOAK-së.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Fitore Byqmeti në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi, si dhe ka thënë se me që se një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës e paditura Komuna e Prishtinës në skemën e saja buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme buxhetore për këtë lloj kompensimi.

Mbi këto pretendime, Byqmeti i ka propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditëses ta refuzoj ënë tërësi si të pa bazuar.

Gjykatësja e rastit Hidajete Gashi, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në kohë të arsyeshme do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 12 prill 2019, paditësja Cukaj po kërkon nga Komuna e Prishtinës, kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse në shumë prej 2,820.30 euro.

Në padi thuhet se, paditësja ka qenë e punësuar në arsim pranë të paditurës për  rreth 40 vite, dhe pas daljes në pension pretendohet se i ka plotësuar kushtet për kompensimin e pagave jubilar dhe përcjellëse.

Gjithmonë pasi padisë, paditësja kërkesën e saj për kompensimin e pagave jubilare dhe përcjellëse e ka mbështetur ne nenin 52 dhe 53 të Kontratës Kolektive të Arsimit të datës 11 prill 2014.

Siç thuhet në padi, paditësja pasi kishte dal në pension sipas fuqisë ligjore kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, për kompensimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, por siç pretendohet e paditura nuk i’a kishte kompensuar.

Prandaj, me anën e kësaj padie paditësja po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensojë tri paga jubilare dhe tri paga përcjellëse në shumë prej 2,820.30, me kamat ligjore prej 8%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat