​Banorët e Taslixhes tash e pesë ditë pa energji elektrike

Prishtina

​Banorët e Taslixhes tash e pesë ditë pa energji elektrike

Më: 16 janar 2021 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Në këto ditë të ftohta dimri, banorët e Taslixhes në Prishtinë tash e sa ditë kanë mbetur pa rrymë. Vetë banorët e kësaj ane, tregojnë se mungesa e energjisë elektrike po ua pamundëson edhe ngrohjen, ndërkohë që shumë nga pajisjet në shtëpi iu janë prishur.

Qindra thirrje kanë pasur banorët e rrugës “Naser Hajrizi” për Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike-KEDS, ndërkohë që tash e pesë ditë ende nuk është rregulluar problemi që kanë ata.

Lulzim Sahiti, i cili banon në rrugën “Naser Hajrizi”, thotë se që nga e diela e javës së kaluar kanë telashe me energji elektrike. Siç tregon ai vetë ka telefonuar edhe Policinë e Kosovës, meqë thotë se janë të rrezikuar.

Sahiti: Jemi shumë të rrezikuar

“ Dy faza nuk kemi edhe ajo fazë kur vjen, vjen shumë e vogël. Jemi shumë të rrezikuar. KEDS-in e kena thirr nja 500 herë, veç unë e kam thirr 50 herë vet. I kena thirr edhe policinë, vijnë e hapin trafon, shkojnë kurgjo hiç... Krejt i kemi lajmëruar. KEDS-in vetëm familja jem e ka thirr më shumë se 50 herë, krejt lagjja e ka thirr. Vijnë e hapin trafon, u shkri siguresa, kurgjo nuk bëjnë”, tregon ai.

Për më tepër, ai thotë se askush nuk po i informon se kur mund të zgjidhet ky problem, ndërkohë tregon se shumë banorëve të kësaj ane, iu janë prishur pajisjet si pasojë e mos-furnizimit me energji elektrike.

Sahiti: Kur thirri në KEDS thonë po e lajmërojmë rastin

“Kur thirri në KEDS thonë po e lajmërojmë rastin, e kjo është bërë si vjershë. Edhe vijnë ata thonë ne nuk mundemi me rregulluar, vjen tjetra ekip më profesionale, nuk vijnë hiç më”, shton ai.

Një gjë të tillë e thotë edhe Kadire Januzi, e cila tregon, se tash e pesë ditë kanë problem me furnizimin me energji elektrike, ndërkohë që po e kanë të vështirë edhe ngrohjen në këto ditë të ftohta të dimrit.

Januzi: Kjo është një papërgjegjësi e tyre

“Nuk kemi pasur mbrëmë dhe parmbrëmë tërë natën… E lëshojnë një minutë, sa të kthehen ata me shkua, prapë del prej sistemit rryma… Është edhe ftohtë, me nxemje, me elemente shtëpiake që i kemi. Kjo një papërgjegjësi e tyre, sa vijnë e kyçin ata veç kthehen ajo prapë del prej sistemit. Jemi shumë banorë, jemi në terr”, tregon ajo.

I frustruar me këtë gjendje shprehet edhe Valton Januzi nga Taslixhja e Prishtinës. Ai thotë se mungesa e energjisë elektrike ia ka pamundësuar edhe punën e tij, të cilën e kryen nga shtëpia. Për më tepër thekson se i ka shkaktuar telashe edhe në pajisjet shtëpiake.

Januzi: Ushqimin që e kemi pasur nëpër friza e kemi hedhur

“Ka shumë kohë që po e kemi problem prej që e kanë ndërruar do të thotë trafon këtu. Po kemi ndërprerje të rrymës, mua sidomos po më shkakton problem në punë, sepse punoj home office, sot për shembull e kam humbur vendin e punës. Si po e rregullojnë pas 10 minutave prapë po ndërprehet. Ndonjëherë kemi ndonjë fazë, por po duhet me zgjat me kablla, po mundohemi diqysh.. Ushqimi që e kemi pasur nëpër friza, gjysmën e kemi hedhur”, tregon ai.

Në një përgjigje, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se për shkak të ngrohjes masive me energji elektrike, janë duke u mbingarkuar asetet energjetike.

Ai gjithashtu ka thënë se janë duke pasur kohë pas kohe probleme me faza në atë pjesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat