Përparim Rama jep detaje nga programi: Prishtinës do t’i japim karakter unik në botë

Prishtina

Përparim Rama jep detaje nga programi: Prishtinës do t’i japim karakter unik në botë

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 21:15
Përparim Rama

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka shpalosur detajet e programit të tij për kryeqytetin.

Ai në Rubikon tha se plani i tij është i ndarë në tri pjesë; Prishtina praktike, Prishtina e pastër dhe Prishtina e përjetimeve.

”Fushata ishte fantastike, ishte kënaqësi të takoj popullin e Prishtinës në çdo cep të Prishtinës edhe të zonës urbane edhe të zonës rurale, është një energji e mirë, një energji pozitive. Kam arritur ta dëgjoj problemin e qytetarit, gjithashtu të dimensionit të qytetit, kam arritur të mishërohem me të dhe të zhvilloj platformë që i përshtatet zgjidhjeve konkrete të problemit të Prishtinës”.

”Tri pikat e programit tim janë pika shumë të rëndësishme për Prishtinën, për arsye se kemi probleme konkrete, praktike të qytetarit të Prishtinës, të cilat i kemi shtjelluar dhe me të cilat  merremi, kemi problem në aspektin e pastërtisë dhe gjelbërimit dhe ajo që ndikon në standardin e jetës, pra në përjetimet. Pastaj dhe Prishtina e përjetimeve, e cila lidhet dhe me mundësinë që Prishtina të krijohet në një qytet me karakter unik në botë, qe të kemi festival të ndryshme, sporte, rekreacione të ndryshme, pra ta vendosim Prishtinën në harta botërore për përjetime edhe për turistet, por edhe për qytetarët e Prishtinës”, tha Rama.

Tutje Rama tha se një nga pikat e planit të tij për kryeqytetin është ndërtimi i një platforme të gjelbër, e cila e lidhë lagjen Arbëria me pallatin e Rinisë, ky projekt sipas Ramës përveç që u mundëson 30 mijë banorëve të kësaj lagje të kenë qasje shumë më të lehtë me qendrën e qytetit, krijon hapësirë për parkingje nëntokësore dhe ndërtimin e një salle koncertale, të gjitha të përfshira në këtë plan.

”Projekti në lagjen Arbëria është një projekt standard apo normal, mirëpo që zgjidh një problem të madh të lagjes Arbëria. Kemi një popullatë rreth 30 mijë banorë që nuk kanë qasje te drejtpërdrejt në qendër, pra për të kaluar prej Arbërisë në qendër duhet kaluar nga një teposhtëze që nuk është e rregulluar, përmbi hekurudha, pastaj duhet kaluar katër korsi për të mbërritur në zonën qendër. Paramendo kjo është një sfidë e madhe për qytetarin, për të rinjtë apo kur e merr parasysh prindin me fëmijë me kolicë, apo nuk mund t’i marrësh parasysh fare personat me aftësi të kufizuara. Pra kjo zgjidh një problem të madh të qytetit të Prishtinës, por njëkohësisht krijon dhe mundësi të reja”.

”Parkingjet nëntokësore, pra është një pikë ku transporti publik mundet me u ndalë, me u parku për të pasur qasje të drejtpërdrejt në qendër të Prishtinës, po ashtu krijon mundësinë, ku do ta zhvillojmë faktikisht sallën koncertale, e cila është më se e nevojshme nga aspekti i kulturës, sepse kemi mungesë të këtyre ndërtesave”, tha Rama.

Rama tha se ky projekt ka koston prej 35 milionë eurosh, 20 milionë e së cilave do të sigurohen nga IPA dhe 15 milionë përmes partneritetit publiko-privat.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat