​Rama shpalos projektin për Prishtinën e vjetër: Do të konservohen ndërtesat kyçe

Prishtina

​Rama shpalos projektin për Prishtinën e vjetër: Do të konservohen ndërtesat kyçe

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 14:34
Përparim Rama

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama është zotuar se me udhëheqjen e tij do të trajtohet me seriozitet pjesa e vjetër e qytetit. Ai ka thënë se ndërtesat të cilat përfaqësojnë trashëgimi kulturore do të rigjenerohen. Po ashtu, Rama ka treguar se Prishtina e vjetër do të ndërlidhet me qendrën nëpërmjet nënkalimeve nga komuna e vjetër e deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Nga këtu e deri te Sahat Kulla, ai ka premtuar zonë për këmbësorë.

Kështu u shpreh ai gjatë shpalosjes së programit për Prishtinën e vjetër. 

Kandidati Përparim Rama të shtunën tha se çdo qytet me traditë, mbron dhe konservon trashëgiminë e vet kulturore. 

Rama: Ndërtesat kyçe të Prishtinës do të konservohen 

"Nën menaxhimin tonë kjo qasje ndaj Prishtinës së vjetër do të ndryshoj tërësisht dhe do të trajtohet me dinjitetin dhe seriozitetin që e meriton. Sepse kjo pjesë e qytetit ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për qytetarin e Prishtinës, por edhe për vizitorët e saj, mirëpo edhe për kulturën e traditën tonë. Së pari ndërtesat kyçe, monumentet e trashëgimisë kulturore që përfaqësojnë fillesat e Prishtinë si qytet do të konservohen dhe do të rigjenerohen, duke ua ruajtur karakterin dhe vlerat arkitekturale e urbane. Çfarë është më e rëndësishmja do të shënjëzohen e do të kenë qasje të lehtë për vizitorët", u shpreh ai. 

Më tej, ai ka treguar se kjo pjesë e vjetër e kryeqytetit do të ndërlidhet me qendër nëpërmjet nënkalimeve për vetura. 

Rama: Prishtina e vjetër do të ndërlidhet me qendrën nëpërmjet nënkalimeve 

“Prishtina e vjetër do të ndërlidhet me qendrën nëpërmjet nënkalimeve për vetura prej rrethit te komuna e vjetër e deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Ndërsa, prej sheshit “Ibrahim Rugova” deri te “Sahat Kulla”, Prishtina e vjetër do të transformohet në zonën për këmbësorët për të krijuar mundësi për të përjetuar historinë e zhvillimit të qytetit. E duke mundësuar qasje të lehtë edhe të Muzeu Kombëtar, Muzeu Etnologjik, Sahat Kulla, tri xhamitë, hamami e tregu i gjelbër”, ka shtuar ai. 

Ai tha se të gjitha rrugët do të trajtohen me elemente tradicionale si kalldrëmi, guri dhe zonat e gjelbra e në këtë pjesë do të jetë me prioritet zhvillimi i arti-zanateve. 

Rama: Tregun e gjelbër do ta shpallim zonë me interes publik 

“Do të zhvillojmë edhe tregun e gjelbër dhe do ta shpallim zonë me interes publik. Një projekt i rëndësishëm është edhe plani zhvillimor i regjenerimit urban të kësaj zone. I cili do të dizajnohet përmes konkursit ndërkombëtar brenda nëntë muajve. Ndërsa, rigjenerimi do të bëhet në bazë të këtij plani si pjesë e projekteve në partneritet publiko-privat”, u shpreh ai.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Përparim Rama do të garojë për herë të dytë më 14 nëntor. Ai ka marrë 29,17 për qind të votave, ndërsa Arben Vitia nga LVV është votuar nga 42,54 për qind e qytetarëve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat