Mesazhi i 85 vjeçares që doli për të votuar në Prishtinë

Prishtina

Mesazhi i 85 vjeçares që doli për të votuar në Prishtinë

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 14:18
Seniha Spahiu

Vështirë e ruante drejtpeshimin. Këmbët mezi e mbanin, kurse i gjithë trupi i dridhej nga mosha.

Pavarësisht barrës së viteve mbi supe, 85 vjeçarja Seniha Spahiu, thoshte se po ndihet mirë.

Ajo sot ka dalur për ta ushtruar të drejtën e saj kushtetuese, për të votuar në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës.

Së bashku me bashkëshortin e saj, që po e mbante për krahu, kishin ardhur me veturë në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë.

E moshuara thotë se nga këto zgjedhje pret më mirë për nipërit, mbesat e stërnipërit e saj, por pse jo edhe për veten e saj.

“Çdo njeri pret diçka më mirë me u bë. E, unë posaçërisht që kam fëmijë e nipa kam edhe stërnip, pres mirë për ta, por edhe për mua, pse jo”, tha Senihaja.

“Nuk kisha probleme ngadalë, ngadalë. Dëshirë kur ke, atëherë ke edhe forcë”, tha ajo.

Përndryshe qytetarët e komunave që janë në balotazh sot po iu drejtohen kutive të votimit, për të kryer obligimin e tyre qytetarë dhe për të vendosur se kush do ta udhëheqë komunën e tyre në katër vitet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat