AKR: Kemi pasur dakordime, por LDK nuk është treguar serioze

Prishtina

AKR: Kemi pasur dakordime, por LDK nuk është treguar serioze

Më: 5 janar 2022 Në ora: 18:33
Sami Boroci

Asambleisti i Aleancës Kosovare e Re(AKR) në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sami Boroci, po pretendon se ka pasur dakordim ndërmjet LDK-së e AKR-së për të bashkë qeverisur me Prishtinën.

Kështu, në mungesë të marrëveshjes, asambleistët e AKR-së, gjatë zgjedhjes së kryesuesit e kanë lëshuar mbledhjen, së bashku me ata të AAK-së.

Boroci tha se LDK-ja është deklaruar se i kanë numrat për ta zgjedhur kryesuesin edhe pa pjesëmarrjen e AKR-së.

“Mundem me konfirmua se ka pasur diskutime mes LDK-së dhe AKR-së, ka pasur një farë dakordimi edhe në balotazh për një mbështetje, e cila do të konkretizohej me një partneritet bashkëqeverisjes. Si parti nuk është që ka pasur qasje serioze prej partnerit potencial, në këtë rast prej LDK-së. Ata janë deklaruar se i kanë numrat për me zgjedhur kryesuesin edhe pa pjesëmarrjen tonë. Ne normalisht kemi zgjedhur që për arsye parimore të qëndrojmë jashtë kësaj pike. Po ashtu kemi pasur pakënaqësi, që mendojmë se na është mohuar e drejta me pasur anëtarin tonë në Komitetin për Politikë dhe Financa”, theksoi Boroci.  

Ai tha se pasur diskutime për një numër të caktuar të drejtorive, mirëpo këto drejtori nuk janë ndarë nga ana e LDK-së.

“Ka pasur diskutime, ndoshta jo shumë konkrete për drejtori të caktuara. Fillimisht ka pasur një dakordim që të jetë një numër i caktuar i drejtorive, mirëpo këto drejtori nuk janë ndarë. Mirëpo, nuk është vetëm çështje pazari kjo. Sepse ne nuk është që jemi patjetër  të interesuar që të jemi pjesë e qeverisë. Ne mund të jemi edhe në opozitë, mendoj se kjo na shkon edhe për shtati si parti”, tha ai.

Boroci ka lënë të hapur çështjen e bashkëpunimit me partinë në pushtet, në këtë rast me LDK-në, por që duhet me pasur reflektim në ndarjen e drejtorive.

“Kështu që ne LDK-së i kemi thënë që nëse gjejmë një dakordim edhe programor, por ky dakordim duhet me u reflektua edhe në pozicione të drejtorive përmes së cilave mundemi me i implementuar këto projekte të cilat ne i kemi si parti dhe nëse gjejmë një harmonizim, atëherë jemi të gatshëm me u ul dhe me disktu për një bashkëqeverisje potenciale. Nëse këtë nuk e gjejmë, ne nuk e shohim të rrugës që të bëhemi pjesë vetëm sa për me votuar numra. Ne kemi rol konstruktiv që mundemi me votuar edhe pa qenë pjesë e qeverisjes të temave të caktuara që janë në interes të qytetit”, shtoi ai.  

Derisa bëri të ditur se me LDK-në nuk kanë diskutuar asnjë herë për ndarjen e ndërmarrjeve komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat