Vazhdon vaksinimi në Prishtinë, qytetarët ankohen për hapësirën e ngushtë që ka qendra

Prishtina

Vazhdon vaksinimi në Prishtinë, qytetarët ankohen për hapësirën e ngushtë që ka qendra

Më: 23 janar 2022 Në ora: 15:31
Pamje nga vaksinimi

Vaksinimi po vazhdon edhe këtë javë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kalabri në Prishtinë, ku shihet se qytetarët po vaksinohen me dozën e tretë. Ata thonë se zgjidhja e vetme që kanë është vaksinimi për çka edhe kërkojnë nga qytetarët e tjerë që të vaksinohen.

Megjithatë, disa nga ata po ankohen edhe për hapësirën e ngushtë që ka kjo qendër.

Qytetari Jakup Dushullovci tregon se është vaksinuar me dozën e tretë dhe vaksinimi duhet bërë për të mbrojtur njëri-tjetrin.

Dushullovci: Vaksinat duhet t’i marrim për ta ruajt njëri-tjetrin

“Dozën e tretë e mora sot edhe kurrfarë problem nuk pata…Vaksinat duhet me i marrë secili njeri për me ruajt njëri tjetrin, që mos me pas problem. Virusi i bie gjithkujt, por më lehtë kalon”, ka thënë ai.

Adem Govori tha se gjatë periudhës që ka qenë me COVID-19, ka pas probleme të mëdha e që arsyeja e kësaj siç thotë ai ka qenë mos-vaksinimi.

Govori: Tregoj se 20 ditë kam heq prej COVID-it se nuk kam pas vaksinë

“Dozën e tretë e mora, presim tjerat nëse na i caktojnë dhe kështu e ndjej veten më mirë. Edhe të parën kur e kam marrë, edhe të dytën. Unë e kam kalu Covidin, por prapë dua me u sigurua se më lehtë, edhe me na ra e kalojmë me lehtë shumë. Ata e kanë për veti veç kur vinë si në gjendjen time që kam qenë pa vaksinu, e kam përjetua mezi kam shpëtuar. Tregoj se 20 ditë kam heq prej Covidit se nuk kam pas vaksinë, ndoshta edhe më lehtë e kisha kaluar. Kam pas shpesh me ardhur me marrë infuzione, gjilpëra për kundër trashjes të gjakut. Tash sa janë këto propaganda e këtyre po e frikësojnë edhe popullin, unë që sot e mora të tretën nuk kam pas kurrfarë pengese”, tha ai.

Ndërsa, Nazmi Gashi tregon se është imunizuar me dozën e tretë të vaksinës por që ankohet për sipërfaqen e kësaj qendre.

Gashi: Nuk ka tjetër zgjidhje, e vetmja është që të vaksinohemi

“Jam vaksinuar për më tepër se gjashtë muaj, tani erdha edhe vaksinën e tretë me marrë. Tani erdha këtu, për herë të parë i kam marrë të qendra sportive ‘1 tetori’, kështu që këtu kushtet më të këqija po shihen se më ngushtë, sipërfaqja më e vogël, kurse atje ka pasur një hapësirë shumë më të mirë. Apeli është që të gjithë të vaksinohen nuk ka tjetër zgjidhje, e vetmja është që të vaksinohemi. Unë po e shoh edhe në bazë të informatave. Të gjithë ata që nuk janë vaksinuar kanë telashe, probleme edhe janë të shtrirë në spital”, ka thënë ai .

Kurse, Melihate Rrmoku tha se kishte problem me vaksinën e dytë, derisa shpreson se më këtë të mos ketë probleme.

Rrmoku: Unë po mundohem t’i bind për t’u vaksinuar

“Me dozën e tretë jam vaksinuar, të dytën kam pas 2-3 netë problem, lutem të mos kem me këtë. Unë po mundohem me i bind shumë që të vaksinohen se në rregull është me u vaksinuar, gjithmonë i kemi marrë vaksinat”, ka thënë ajo.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës të premten ka vendosur për masat e reja, ku gastronomia lejohet të punojë deri në orën 21:00, kurse ora policore fillon nga ora 22:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat