Bajqinovci: Problemi i qenve endacakë nuk mund të zgjidhet veç nga Komuna e Prishtinës

Prishtina

Bajqinovci: Problemi i qenve endacakë nuk mund të zgjidhet veç nga Komuna e Prishtinës

Më: 16 prill 2022 Në ora: 12:39
Pëllumb Bajqinovci dhe Përparim Rama

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, ka thënë se praktika e mëhershme e këtij kuvendit për vrasjen e qenve endacakë nuk ka qenë efektive.

“Vrasja e qenve endacakë, si praktikë e mëhershme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në vitin 2011, pati zgjuar reagime të shumta te qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Atë kohë ishin eliminuar rreth 300 qenë endacakë. Në Prishtinë janë rreth 10,000 qen endacakë, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 250 mijë, sipas nje raporti. Ligji kërkon që qentë endacakë të trajtohen dhe të kthehen në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendosë për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë”.

Bajqinovci tha se problemi i vazhdueshëm me qentë endacakë, që së fundi është përkeqësuar, nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç, por duhet një strategji mes komunave, qeverisë dhe AUV-it.

“Përkundër qindra-mijëra eurove të shpenzuara nga Komuna ne vitet paraprake, kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç, andaj kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjentë, derisa institucionet fajin ia hedhin njëra-tjetrës, problemi i qenve endacak ende mbetet i pazgjidhur”.

“Mirëpo, për të zgjidhur këtë problem në mënyrë permanente, duhet bashkëpunim i të gjitha komunave, sepse nëse vetëm 1 apo 2 Komuna nuk e trajtojnë këtë problem në territoret e tyre, do te ketë efekt negativ në tërë vendin. AUV, Komunat dhe Qeveria duhet të bashkëpunojnë që të zbatohet ligjin aktual që ndërlidhet me kafshët shoqëruese, pasi që ka dispozita të qarta edhe për abuzuesit e kafshëve, të cilët direkt ose indirekt ndikojnë në shtim të numrit të qenve endacak, problem ky që po rrezikon jo vetëm mirëqenien e kafshëve, por edhe shëndetin publik”.

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës pretendon se projektet e nisura më herët për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë janë përcjellë edhe me parregullsi, duke shtuar se kjo ka bërë që në rrugë të ketë qenë që sulmojnë.

“Shumë projekte të KSVL (kapja, sterilizimi, vaksinimi, lëshimi) të nisura si nga komunat edhe nga AUVK, të përcjella me shumë abuzime dhe punë joprofesionale dhe monitorim pothuajse joekzistent nga institucionet. Normalisht që pastaj, pasojat e kësaj neglizhence i vuajmë ne si qytetarë të thjeshtë, e më së shumti kafshët e gjora”.

“Gjatë shumë projekteve të KSVL, qentë pas trajtimit është dashur të kthehen në territorin se ku janë marrë. Kjo, për fat të keq, shumë herë nuk ka ndodhur. Si pasojë e kësaj, në rrugë kemi kafshë të hutuara, të stresuara e të frikësuara sepse janë lëshuar në një territor krejt të panjohur për ta. Është shumë normale që në këto kushte pastaj të ketë edhe incidente: qen që sulmojnë njëri-tjetrin në mbrojtje të territorit dhe ushqimit, qen që kërcënojnë sigurinë dhe shëndetin publik. Krejt kjo sepse institucionet si qëndrore ashtu edhe lokale e kanë anashkaluar gjendjen e qenve endacakë dhe asnjëherë nuk janë munduar të bëjnë zgjidhje afatgjate”.

Ai ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar bashkëpunim nga komunat e tjera dhe qeveria, sepse ky problem nuk mund të zgjidhet veç nga Komuna e Prishtinës.

Madje, Bajqinovci jep shifra alarmante të numrit të qenve endacakë në kryeqytet dhe në Kosovë.

“Njëri i ka lëshuar 20 qen prej kamionit, i ka mbledhur qentë e katundit dhe i ka lëshuar në Vranjevc, Prishtinë thanë disa banorë të lagjes. Kryetari Perparim Rama kërkoi bashkëpunim me komunat e tjera dhe Qeverinë e Kosovës, sepse ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës. Presidenti, Kryeministri dhe Deputetët duhet t’ua japin përgjegjësinë komunave në lidhje me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, ose të shpallin gjendje emergjente për të trajtuar situatën alarmante në çdo komunë të Kosovës”.

“Mendoj dhe ështe reale se siguria e qytetarëve dhe shëndeti publik posaqerishtë në kryeqytet ështe e cenuar nga numri i madh i qenve endacak diku mendohet se vetëm në Komunën e Prishtinës janë 10.000 qen dhe deri ne fund të vitit numri mund të rritet në 14.000, ku pastaj me kaq numër të madh rriten rastet e agresivitetit të cilat i shfaqin për arsye të ftohtit dhe mungesës së ushqimit. Bashkëpunimi i opozitës dhe pozitës në nivel lokal dhe në nivel qendror në zgjidhjen afatgjate të problemit duhet të rritet dhe duhet të ketë mirekuptim”.

Ai ka apeluar për kujdes duke thënë se “qentë nuk e dinë se cilit subjekt politik i takon dhe për ta secili është i njëjtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat