Nis plani për zhbllokimin e trafikut në Prishtinë

Prishtina

Nis plani për zhbllokimin e trafikut në Prishtinë

Më: 22 prill 2022 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Është bërë hapi i parë, që sipas institucioneve, do t’i hapë rrugë zhbllokimit të trafikut në Prishtinë. Komuna ka nënshkruar të premten një memorandum mirëkuptimin me Ministrinë e Mjedisit për unazën e mesme të kryeqytetit.

Ministri Liburn Aliu ka thënë se trafiku në Prishtinë është i ngarkuar dhe është ndër sfidat më të mëdha.

“Meqenëse e ka planin e qëndrueshëm të mobilitetit, ai kërkon aplikim të shpejtë dhe radikal nëse dëshirojmë që qyteti të lirohet”, ka thënë Aliu në një konferencë për media. Ai ka bërë të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar faza e përgatitjes së implementimit të projektit. Është zotuar që do të përfundojë sa më shpejt.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar jetik projektin.

Sipas tij, projekti do të jetë në përfundim e sipër në fund të vitit e “sipas të gjitha gjasave do të fillojë vitin e ardhshëm”.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është financuese e projektit.

“Është projekt jetik i kryeqytetit dhe është fillimi i projekteve të mëdha në Prishtinë”, ka thënë Rama.

Sipas premtimit të Ramës në fushatë, unaza e mesme është e paraparë që të nisë nga Veterniku te Zona Industriale dhe deri në Qendrën e Panaireve.

Për trafikun në kryeqytet janë bërë disa testime edhe javët e fundit. Në fundjavë do të testohet shndërrimi i unazës qendrore në qytet në qarkore njëkahëshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat