​Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Prishtinës me memorandum bashkëpunimi në sektorin pyjor

Prishtina

​Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Prishtinës me memorandum bashkëpunimi në sektorin pyjor

Më: 13 maj 2022 Në ora: 15:57
Pamje nga takimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi, përmes të cilit synohet realizimi i projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta që për qëllim kanë mbrojtjen e sektorit pyjor.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se ky memorandum është nënshkruar nga ministri Faton Peci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama gjatë një takimi që realizuan sot, me ç’rast vlerësuan se bashkëpunimi në mes të nivelit qendror dhe atij lokal është tejet i rëndësishëm në mbrojtjen e këtij sektori.

“Jemi angazhuar që me politikat e duhura pyjore resurset pyjore të Kosovës t’i vendosim si një prioritet kombëtar, të cilat janë edhe një potencial i madh për zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes kemi hartuar dhe miratuar Strategjinë për Pylltari 2022 – 2030, e cila adreson politikat kryesore të sektorit dhe zbatimin e tyre për 10 vitet e ardhshme, si dhe kemi avancuar agjendën legjislative duke përpiluar dhe miratuar në Qeveri - Ligjin për Pyje. Po ashtu, kemi themeluar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve”, ka thënë Ministri Peci.

Po ashtu, gjatë këtij takimi Peci dhe Rama janë dakorduar që të shohin edhe mundësi të reja bashkëpunimi mes të dyja niveleve, me qëllim që të avancojnë dhe fuqizojnë sektorin e bujqësisë në këtë komunë përmes ndarjes së të dhënave, inspektimit gjatë implementimit të programeve mbështetëse të MBPZhR-së, pasqyrimin e qartë të pronave dhe tokave bujqësore dhe forcimin e zinxhirit të bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe qendror.

Ndryshe, përmes këtij memorandumi, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia e Pyjeve të Kosovës së bashku me Komunën do të realizojnë mbjelljen e fidanëve në hapësirat e liruara, si dhe shumë aktivitete tjera që për qëllim kanë mbrojtjen e sektorit pyjor në Komunën e Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat