Komuna e Prishtinës jep në shfrytëzim për 3 vjet një pronë për dislokimin e Stacionit Policor në “Kodrën e Trimave”

Prishtina

Komuna e Prishtinës jep në shfrytëzim për 3 vjet një pronë për dislokimin e Stacionit Policor në “Kodrën e Trimave”

Më: 17 maj 2022 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë nënshkruar sot një Kontratë me të cilën i jepet PK-së në shfrytëzim prona e paluajtshme komunale.

Me anë të kësaj kontrate rregullohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për marrjen dhe shfrytëzimin e pronës komunale të Prishtinës për nevojat e institucioneve qendrore, respektivisht dhënia e saj në shfrytëzim në afatin prej 3 viteve për Policinë e Kosovës për dislokimin e personelit nga objekti dhe pajisjet e Stacionit Policor “Veriu” në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ka njoftuar Komuna e Prishtinës në njëftim për shtyp.

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj kontrate është dhënia në shfrytëzim e pronës komunale të kryeqytetit për nevojat e Policisë së Kosovës, respektivisht, për nevojat e Stacionit Policor “Veriu” në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës thekson se është tejet e përkushtuar në ofrimin e kushteve sa më të favorshme për policinë e Kosovës, duke siguruar kështu plotësimin e nevojave të tyre, për të thelluar tutje bashkëpunimin në çështjen e sigurisë së qytetarëve të kryeqytetit.

Në prill të vitit të kaluar, kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte njoftuar se Stacioni Policor në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë “së shpejti” do të bëhet me objekt të ri.

“Komuna e Prishtinës, me vendim të Kuvendit Komunal, ka ndarë parcelë nga prona komunale ku do të ndërtohet Stacioni Policor në Kodrën e Trimave”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Fillimisht do bëhej lirimi i parcelës, e cila kishte qenë e uzurpuar, për të proceduar tutje me ndërtim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat