​Prishtina HeatSave ndryshon mënyrën se si qytetarët menaxhojnë shfrytëzimin e energjisë

Prishtina

​Prishtina HeatSave ndryshon mënyrën se si qytetarët menaxhojnë shfrytëzimin e energjisë

Më: 22 maj 2022 Në ora: 18:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Qytetarët e Prishtinës kanë pasur sot rastin të informohen mbi procesin e detajuar të instalimit të matësve të mençur dhe funksionet e tyre, si pjesë e projektit Prishtina HeatSave, i cili synon modernizimin e sistemit të ngrohjes dhe instalimin e pajisjeve të sofistikuara të matjes së ngrohjes në banesat e Prishtinës. Pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme ishte edhe zëvendëspresidentja e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Phillips Mandaville.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Petrit Selimi, me këtë rast ka thënë se në më shumë se 17.500 apartamente pritet të instalohen matësit e radiatorëve që kanë për qëllim shpenzime më të ulëta të energjisë elektrike.

Selimi: Ata që shpenzojnë më pak, paguajnë më pak

Këtu në pikën informatike të MFK-së dhe MCC-së, si dhe të Termokosit, po iu shpjegojmë qytetarëve në këto ngjarjet që po i bën qyteti i Prishtinës, se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm sa i përket investimit që po bëhet nga instalimi i matësve të radiatorëve. Ky është kodi ku ata mund të jenë pjesë e Viberit, ku marrin informata të rëndësishme, se në cilat lagje do të bëhet instalimi. Këta muajt e ardhshëm do të jenë shumë intensiv, pikërisht në 17.500 apartamente në Prishtinë do të instalohen matësit dhe mbi 80-90 mijë radiatorë do të fitojnë valvulet e reja për kontrollin e ngrohjes. Qëllimi është që ata që shpenzojnë më pak, të paguajnë më pak. Deri tash ka qenë paushall, tash e tutje do të jetë sipas shpenzimeve”, ka thënë ai.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës para pak ditësh ka nënshkruar “Marrëveshjen e Bashkëfinancimit” me Komunën e Prishtinës për rinovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtërishme në ndërtesat e njohura si ‘Soliterët e Ulpianës’.

Ky aktivitet ishte pjesë e shumë aktiviteteve organizuar nga Komuna e Prishtinës për fundjavë, me rastin e Festivalit të Pranverës, ku delegacioni i MCC-së pati rastin të shijojë një moment nga shfaqjet, muzika, vallëzimi dhe ngjarjet tjera kulturore.

Ndryshe, një delegacion nga Uashingtoni, në krye me zëvendëspresidenten e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Mandaville ka mbërritur sot në Prishtinë, për një vizitë zyrtare treditore në Kosovë.

Mandaville e filloi vizitën e saj me fokus në modernizimin e sistemit lokal të ngrohjes, investim ky që po bëhet i mundur përmes aktivitetit Prishtina HeatSave të MFK-së dhe MCC-së.

Gjatë vizitës në Kosovë, zëvendëspresidentja Mandaville pritet të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh të organizuara nga MFK dhe MCC, përfshirë Konferenca e Donatorëve Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë dhe Ngjarja Përmbyllëse e Programit Gratë në Energji.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat