Dhënia e lëmoshës cenon jetën e fëmijëve në situatë rruge

Prishtina

Dhënia e lëmoshës cenon jetën e fëmijëve në situatë rruge

Më: 25 maj 2022 Në ora: 16:05
Përparim Rama

Drejtoria e Mirëqenies Sociale, në kuadër të “Fushatës vetëdijesuese për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge”, ka organizuar kampanjën me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë në situatë rruge”, me qëllim të përçimit të mesazhit se dhënia e lëmoshës cenon jetën e fëmijëve në situatë rruge.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, me këtë rast ka folur mbi aktivitetin e krijuar, duke thënë se fëmijët lëmoshë-kërkues duhet të largohen nga rruga dhe t’i aktivizojnë nëpër shkolla.

Rama: Fëmijët lëmoshë-kërkues do t’i vendosim në qendrat ditore

“Ne kemi një agjendë të përshpejtuar në aspektin e lëmoshë-kërkuesve, pikërisht për fëmijët pasi në kryeqytet nuk duhet të kemi asnjë fëmije që kalon kohën në rrugë. Qytetarët ndonjëherë iu japin para për të mirë, por në faktik ata vetëm sa i dëmtojmë dhe i shtyjmë të dalin të kërkojnë prapë lëmoshë. Ne kemi krijuar një sistem përbrenda Drejtorisë se Mirëqenies Sociale për largimin e fëmijëve prej rruge. Kemi qendrat ditore dhe strukturat e ndryshme që t’i aktivizojmë nëpër shkolla, t’i vendosim dhe t’i bëjmë pjesë të shoqërisë, e jo t’i lëmë të vetmuar nëpër rrugë... Kjo është ideja e gjithë këtij aktiviteti sot për vetëdijesimin e qytetarëve që të bashkëpunojnë me neve. Nëse dëshirojnë të ndihmojë atëherë duhet të kontaktojnë Drejtorinë e Mirëqenies Sociale... Kemi filluar edhe bashkëpunime me komunat tjera, sepse kjo dukuri shpërfaqet nëpër të gjithë territorin e Kosovës”, tha Rama.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë Adelina Sahiti, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me dukurinë e kërkimit të lëmoshës nga fëmijët në rrugë, duke thënë se dhënia e lëmoshës po shkon në dëme të tyre.

Sahiti: Dhënia e lëmoshës nuk është zgjedhje

“Sot kemi filluar aktivitetin kundër lëmoshës, një aktivitet për qytetarët e komunës së Prishtinës, për t’i bërë me dije se dhënia e lëmoshës nuk është një ndihmesë që ia bëjmë fëmijëve në situatë rruge, por përkundrazi shkon në dëme të tyre. Ky është aktiviteti i parë që po e nisim me moton “Unë s’jap lëmoshë, AS TI! & Bashkë t’i mbrojmë në situatë rruge” ...Ne do të kemi aktivitete të tilla në ditët dhe muajve në vijime, me të vetmin qëllim që t’i vetëdijesojmë qytetarët në masë të madhe se dhënia e lëmoshës nuk është zgjedhje”, tha ajo.

Ndërsa Vehbi Mujku, drejtor i Qendrës për punë Sociale në Prishtinë, ka bërë të ditur me Shërbimin Social të Shqipërisë do të bëjnë një marrëveshje për largimin e fëmijëve lëmoshë-kërkues nga Shqipëria, të cilët janë duke qëndruar në Kosovë.

Mujku: Kemi shumë fëmijë që nuk vijojnë procesin mësimor

“Ajo që na shqetëson më së shumti është qasja e fëmijëve në situata rruge, posaçërisht në semaforët, ku aty rrezikohet jeta e tyre drejtpërdrejt, por rrezikohen edhe vozitësit... Dhënia e një centi nënkupton që këta fëmijë do të humbin ardhmërinë e tyre. Kemi shumë fëmijë, të cilit nuk e vijojnë procesin mësimor dhe njëkohësisht janë viktima potenciale të trafikimit, përdorimit të substancave narkotike, sepse qëndrimi i tyre pa përkrahjen e familjes nënkupton se ata janë pa kontroll... Nesër e kemi takimin e radhës me Shërbimin social të Shqipërisë ku bashkërisht do të bëjmë një marrëveshje, për trajtimin dhe largimin e tyre nga Kosova, sepse numri i madh i tyre që qëndrojnë në Kosovë është problem për ne dhe Shqipërinë ”, tha ai.

Në tremujorin e parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka identifikuar gjithsej 77 fëmijë lëmoshë-kërkues.

Lëmoshë-kërkuesit, sipas policisë, janë nga qytete të ndryshme, por një numër i tyre janë edhe nga Shqipëria. Po sipas Policisë së Kosovës, në dy vjetët e fundit janë identifikuar rreth 432 lëmoshë-kërkues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat