​Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me aktivitete të larmishme në Prishtinë

Prishtina

​Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me aktivitete të larmishme në Prishtinë

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama u është bashkangjitur sot fëmijëve në aktivitetet e shumta që mbahen me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 qershori.

Komuna e Prishtinës në sheshin “Zahir Pajaziti” ka organizuar aktivitete të ndryshme, me këngë, valle e balet.

Kryetari Rama tha se gjatë qeverisjes së tij lokale pikë kryesore do të kenë transformimin e hapësirave publike për fëmijët, në mënyrë që këta të fundit të kenë mundësi të merren me aktivitete të ndryshme kulturore e sportive.

Rama: Pikë kyçe qendrore e kemi transformimin e Prishtinës

Në të gjithë qendrën e kryeqytetit, siç po shihet kemi një seri të madhe të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve. Ne si qeveri e re lokale, pikë qendrore kemi transformimin e Prishtinës, duke e marrë si pikë kyçe fëmijën. Nëse në krijojmë, zhvillojmë, hapësirat publike, shkollat, rrugët, çdo infrastrukturë e pjesës së jetesës, e cila e ngritë sigurinë edhe vetëbesimi te fëmijët tanë, atëherë ne e kemi përfunduar një punë të madhe për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye sot kemi treguar që hapësirat publike duhet t’iu kthehen qytetarëve, fëmijëve. Kjo është një iniciativë që jemi duke u marrë që pjesë të mëdha të kryeqytetit të bëhen zona publike, pa makina, për këmbësorë, për të rinjtë, me vende për rekreacion, për aktivitete të ndryshme, për performancë të ndryshme siç po e shihni edhe sot në çdo cep të qendrës së Prishtinës”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se në katërvjeçarin e ardhshëm shtatë shkolla do të rregullohen, ndërsa 50 për qind prej tyre do të bëhen me qëndrim ditor.

Rama: Kemi shtatë shkolla me program për t’i zhvilluar gjatë katërvjeçarit të ardhshëm

“Kemi shtatë shkolla me program për t’i zhvilluar gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, po ashtu me 50 për qind të gjitha shkollat t’i bëjmë tërë-ditore, në mënyrë që të mundësojmë aktivitete shtesë dhe që fëmijët të kenë qasje edhe në art, kulturë dhe sporte të ndryshme”, tha Rama.

Kryetari i Prishtinës theksoi se shkollat do të jenë prioritet i qeverisjes lokale.

Rama: Kemi bërë një transformim të qytetit për të mirën e kryeqytetit

Shpresoj se fëmijët po kënaqen sot. Kemi bërë një transformim të qytetit për të mirën e kryeqytetit. Çdo gjë fillon me hapësira publike. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe për këtë arsye shkollave iu kemi dhënë rëndësi të madhe që në programin tonë të bëjmë transformim”, tha ai.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat