​Nis edicioni i 21-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Prishtina

​Nis edicioni i 21-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Më: 12 korrik 2022 Në ora: 21:30
Donika Gërvalla

Universiteti i Prishtinës sot nisi edicionin e 21-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, në të cilin marrin pjesë mbi mbi 350 studentë dhe profesorë, prej të cilëve mbi 200 janë ndërkombëtarë.

Zëvendëskryeminnistrja e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se një formë e tillë e universitetit veror i kontribuon jashtëzakonisht mobilitetit mes studentëve dhe profesorëve që ndikon edhe në afirmimin ndërkombëtar të UP-së por edhe të Kosovës në përgjithësi.

Në ceremoninë hapëse, Gërvalla tha se si rrjedhojë e kësaj ngritet edhe niveli i shkencës dhe dijes në përgjithësi.

Gërvalla: Një formë e tillë e Universitetit veror i kontribuon jashtëzakonisht mobilitetit mes studentëve

“Jemi këtu për të filluar Edicionin 21-të të Universitetit veror të UP-së, ‘Hasan Prishtina’, i cili në ndërkohë mund të konsiderohet si një institucion i krijuar më vete, i cili vetëm në këtë edicion të këtij viti ofron kurse në 13-të fusha të dijes dhe shkencës për studentë vendorë por edhe për studentë ndërkombëtarë... Natyrisht se një formë e tillë e universitetit veror i kontribuon jashtëzakonisht mobilitetit mes studentëve dhe profesorëve dhe kështu ndikon dhe në afirmimin ndërkombëtarë të UP-së por edhe të Kosovës në përgjithësi në njërën anë, por edhe në ngritjen e nivelit të shkencës dhe dijes në përgjithësi”, tha Gërvalla.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se meqenëse ky edicion po mbahet me prezencë fizike pas dy viteve të mbylljes ka një simbolikë të veçantë, pasi në një mënyrë po kthehet normaliteti.

Pupovci kujtoi edhe universitetin e parë veror të organizuar në vitin 2001 në kohën kur Kosova ende po shëronte plagët e luftës, duke thënë se nga ajo kohë është bërë një punë e mirë, meqenëse universiteti ka vazhduar edhe për 20 vite tjera edicionin e tij.

Pupovci: Që në vitin 2001 është bërë një punë shumë e mirë pasi që ky universitet ka vazhduar edhe për 20 vite

“Besoj që kjo do të jetë një dinamikë tjetër e bashkëveprimit nga ajo që e kemi provuar online dhe një dinamikë krejtësisht tjetër e socializmit në mes të stafit akademik dhe studentëve, prandaj si e tillë e ka edhe një vlerë tjetër...Po shihet që në vitin 2001 është bërë një punë shumë e mirë për faktin që ky universitet ka vazhduar edhe për 20 vite tjera dhe sot jemi në edicionin e 21-të, edhe pse do të duhej të ishim në edicionin e 22-të, por ja që në vitin 2020 nuk është mbajtur universiteti veror për shkak të pandemisë”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se gjatë këtij edicioni studentët do të kenë mundësi të marrin njohuri të reja nga profesorë nga e gjithë bota.

Në ceremoninë hapëse, Sahiti theksoi se studentët po ashtu do të kenë mundësinë të krijojnë shkathtësi në tri kurse të reja, të cilat do të mbahen në kuadër të universitetit veror.

Sahiti: Studentët do te kenë mundësi të marrin njohuri të reja

“Ky universitet ka traditë dhe këtë vit po e organizojmë edicionin e 21-të, ku për dy javë studentët nga e gjithë bota do të këmbejnë përvojën dhe do të krijojnë kujtime nga Kosova. Universiteti i Prishtinës do të sjellë 350 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe 16 profesorë ndërkombëtarë, të cilët dhënë mësim bashkërisht me profesorët vendor, me ngjarjen me speciale ndërkombëtare për Universitetin e Prishtinës dhe për gjithë vendin...Studentët do të kenë mundësi të marrin njohuri të reja, të krijojnë shkathtësi në tri kurse të reja, të njohin kulturën artin, historinë, traditën tonë të mikpritjes... Keni një mundësi të artë të merrni njohuri nga profesorët e gjithë botës siç janë: Gjermania, Italia, Franca, Holanda”, tha ai.

I pranishëm në këtë event ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se kjo është një mundësi e mirë për studentët, pasi mund të krijojnë përvoja të ndryshme me njerëz të ndryshëm.

Rama: Përvoja që e kemi me shtete të ndryshme është përvoja më përmbushëse

“Jemi njohur për gastronomi, si qytet që kemi kafen më të mirë që ja tejkalojmë edhe Italisë. Për studentët tanë është një mundësi e mrekullueshme... Mendoj që përvojën që e kemi me shtete të ndryshme, njerëz të ndryshëm, nga kultura dhe përkatësi të ndryshme janë përvojat më përmbushese që mund t’i ketë dikush sepse kjo iu jep një perspektivë të re se si njerëzit të jetojnë... Është një program fantastik që mban Universiteti i Prishtinës dhe kemi kënaqësi të mbështetim programe të tilla. Do të gjeni shumë gjëra interesante jo vetëm në Prishtinë por në qytete të ndryshme të Kosovës”, tha ai.

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës sjell në Kosovë studentë nga rajoni, Evropa dhe nga e gjithë bota. Gjatë periudhës së realizimit të kësaj shkolle verore, Prishtina shndërrohet në nikoqir të shumë studentëve e profesorëve ndërkombëtarë me ngjarje të ndryshme kulturore për UP-në dhe për gjithë vendin.

Ky edicion mbahet nga data 11 deri me 22 korrik 2022 në hapësirat e kampusit të Universitetit të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat