​Vetëvendosje kritikon Përparim Ramën për tenderin 12 milionë euro

Prishtina

​Vetëvendosje kritikon Përparim Ramën për tenderin 12 milionë euro

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 12:40
Triera KasumI dhe Gëzim Reçica

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka kritikuar kryetarin e komunës, Përparim Rama, në lidhje me tenderin 12 milionë euro për konsulencë, për themelimin e shërbimit të arkitektit të kryeqytetit për nevoja të kësaj komune.

Në një konferencë për media, asamblistja e VV-së, Triera Kasumi, tha se kryeqyteti ka një listë të gjatë me probleme kronike, por sipas saj, jepet një tender milionësh që është favorizues dhe sa 13 për qind e buxhetit vjetor.

Kasumi: Ky tender në fushatë u përmend sipërfaqësisht e në Kuvend Komunal as që u diskutua

“Kjo shumë fikse e cila është sa granti i qeverisë për kryeqytetin, pra 12 milionë, e që rastis të jetë fushë e njëjtë profesionale si ajo e kryetarit Rama, e cila përkthyer në muaj i bie më shumë se 300 mijë euro. Ky tender i cili e rrëzon çdo vlerë të departamenteve ekzistuese përbrenda komunës, nënçmon po ashtu çdo punonjës profesional në këtë fushë në komunë, të cilët pagën e kanë 600 herë më të vogël sesa kostoja mujore e tenderit. Ky tender i cili në fushatë u përmend sipërfaqësisht e në Kuvend Komunal as që u diskutua, planifikon që të krijojë plane rregulluese të cilat ndër vite veçse janë realizuar e që një e tillë e kemi edhe në rastin e Kalabrisë, mbi të cilën do të rregullohen edhe disa interesa që po ashtu nuk diskutohen. Ky tender i llojit me procedurë të kufizuar për vetëm 6 kandidatë, na la të nënkuptojmë edhe një favorizim, duke e përzgjedhur nga fakti që faktori i vetëm që do të merret parasysh gjatë këtij riekzaminimi është vlera më e lartë e kontratave të përfunduara nga këto subjekte me sukses”, tha Kasumi. 

Shef i grupit të asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Reçica theksoi se kjo kontratë për konsulencë, është e dyshimtë dhe siç tha ai me ekspertë janë duke shqyrtuar dhe analizuar gjithë dokumentacionin e këtij tenderi.

Sfeçla: Kontrata prej 12 milionë euro është e dyshimtë

“Me ekspertët juristë dhe të prokurimit brenda grupit tonë të asamblistëve jemi duke e shqyrtuar dhe analizuar të gjithë dokumentacionin për këtë kontratë të dyshimtë dhe për hapat që do t'i ndërmarrim do t'ju njoftojmë juve dhe opinionin në ditët në vazhdim”, theksoi ai.

Në këtë paraqitje për medie, Sfeçla po ashtu ka bërë një përmbledhje për këto zhvillime të cilat e kanë karakterizuar qeverisjen në Prishtinë të udhëhequr nga kryetari Përparim Rama për këta 8 muaj. Teksa theksoi se sot Prishtina është në gjendje më të keqe se para 8 muajve

Sfeçla: Problemet e shumta nuk kanë nevojë për konsulenca 12 milionëshe por për zgjidhjen e tyre

“Sot Prishtina është në gjendje më të keqe se para 8 muajve. Problemet e qytetarëve janë të njëjta veçse tash janë më të shumta në numër dhe më të thella në përmbajtje. Janë probleme reale, elementare dhe të thjeshta, janë të përditshme. Këto probleme në realitet janë të zgjidhshme, sigurisht, mjafton të ketë vullnet të mirë dhe vizion, por që fatkeqësisht kryetari dhe ekzekutivi i Prishtinës nuk i kanë, as vullnetin dhe as vizionin. Qentë endacakë, mbeturinat, mungesa e ndriçimit publik, shërbime komunale jocilësore, janë dukuri me të cilat po ballafaqohemi çdo ditë e të cilat nuk kanë nevojë për konsulenca 12 milionëshe por për zgjidhjen e tyre duhet punë konkrete dhe përkushtim. E vërtetë që disa nga problemet janë të trashëguara por asgjë nuk është bërë për zgjidhjen e tyre, e disa probleme të tjera kanë ardhur bashkë me Përparimin”, theksoi ai. 

Sfeçla shtoi se asgjë nga premtimet e mëdha nga ato kapitale nuk kanë filluar, asnjë rrugë, platformë, lidhje e ndërlidhje nga ato që me pompozitet i prezantonte Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat