Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë bëhet me “Klasat për nëna”

Prishtina

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë bëhet me “Klasat për nëna”

Më: 8 mars 2023 Në ora: 12:45
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuna e Prishtinës ka hapur Qendrën “Klasat për nëna” dhe lansimin e programit “Kujdesi në Grup në 1000 ditët e para”. Ky projekt është iniciativë e fondacionit Action for Mothers and Children si pjesë e programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë dhe ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e kujdesit shëndetësor të ofruar për nënat dhe fëmijët.

“Kujdesi në Grup gjatë 1000 ditëve të para”, u tha se ka për qëllim që gratë shtatzëna të kalojnë problemet apo shqetësimet e tyre që i hasin gjatë shtatzënisë së bashku duke mësuar nga përvojat e njëra tjetrës dhe nga këshillat e ndryshme të cilat jepen nga profesionistët shëndetësor për një shtatzëni sa më të shëndetshme.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se Drejtoria e Shëndetësisë e ka në fokus shëndetin e grave shtatzëna dhe fëmijëve.

Sadiku tha se këto dy Programe janë në vazhdën e asaj që kanë lansuar në fillim të këtij viti për vizitat sistematike për gratë shtatzëna dhe për fëmijët prej 0 deri në 3 vjet.

“Faktikisht kemi dy prej programeve shumë të rëndësishme të cilat ne jo rastësisht kemi zgjedhë që sot për t’i promovuar në Prishtinë, për arsye se janë Programe që promovojnë shëndetin e gruas dhe të fëmijëve që ne si Drejtori e Shëndetësisë kemi kushtuar rëndësi shumë të madhe, duke pas parasysh sfidat që sot ka bota, trendi i zhvillimit global që sot ka bota domethënë që sot jemi shumë më dinamikë, jeta është më dinamike. Ne po mendojmë që t’i forcojmë programet parandaluese për arsye se duke i forcuar këto programe ne kemi krijuar shoqëri më të shëndetshme e në qoftë se krijojmë domethënë shoqëri më të shëndetshme kemi me pas më pak nevojë për barna, më pak nevojë për kujdes shëndetësor por më shumë kemi me pas për aktivitetet e tjera që i parandalojnë sëmundjet”, tha ai.

Bashkërisht sot po i lansojmë edhe dy programe që së bashku me programin që e kemi lansuar në fillim të këtij viti, vizitat sistematike për gratë shtatzëna dhe për fëmijët prej 0 deri në 3 vjet është kompletim i një programi që fokus të veçantë e ka gruan shtatzënë dhe fëmijët, prandaj kjo tregon që Prishtina, Shëndetësia e Prishtinës po i kushton dhe do ta ketë fokus të veçantë shëndetin e grave shtatzëna dhe fëmijëve. Duke investuar në këto dy kategori ne mendojmë që do të kemi shoqëri më të shëndetshme dhe do të kemi më pak nevojë për të blerë barna”, tha tutje Sadiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat