Punimet në rrugën A, Rama: Do të shkarkohet ngarkesa e trafikut në kryeqytet

Prishtina

Punimet në rrugën A, Rama: Do të shkarkohet ngarkesa e trafikut në kryeqytet

Më: 27 prill 2023 Në ora: 13:38
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se rruga A është një projekt madhor për kryeqytetin.

Në kryeqytet sot kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema” e njohur si rruga A. Punimet e kësaj rruge në segmentin e parë 1.5 kilometra pritet të përfundojnë brenda 240 ditëve, ndërsa asfaltimi i kësaj rruge pritet të lehtësoj trafikun e ngarkuar në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se rruga A është një projekt madhor për kryeqytetin.

Rama theksoi se punimet po zhvillohet njëkohësisht nga të dyja skajet e rrugës dhe kostoja e këtij projekti është 8.4 milionë euro.

Ai tha se rruga “Jim Xhema” do ta shkarkojë dukshëm ngarkesën e trafikut në kryeqytet.

Rama: Rruga A projekt madhor për kryeqytetin

“Është një projekt madhor i kryeqytetit, kemi 1.5 kilometrat e parë ku do të fillojmë nga të dyja anët edhe nga ana e Kalabrisë, edhe nga ana e Prishtinës së Re në të dyja anët në të njëjtë kohë që dinamike të jetë e shtuar. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe projektin e shpimit të Veternikut, në mënyrë që të lidhet edhe Prishtina e Re me Kalabrinë. Kjo fazë e parë 1.5 km përveç që trajton rrugën, trajton edhe kanalizimet... Po them do të ndihmoj që Prishtina të frymoj më lehtë, Prishtina po frymon më lehtë si rezultat i kaosit që ka ndodhur që nuk kemi pas boll rrugë dhe tash rrugët po i krijojmë...Kjo fazë e parë është 8.4 milionë euro për fazën e dytë dhe të tretë i marrim çmimet në bazë të tregut duhet me pritur, sepse nuk e dimë...Çdo punë shtesës ka me i ndihmua qytetit, ka me i ndihmua trafikut, por trafiku nuk vjen vetëm prej mungesës së rrugëve, por edhe të shkollave”, u shpreh ai.

Drejtori i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi duke e konsideruar si projektin më të madh të dekadës në kryeqytet u shpreh se kjo rrugë do të ketë 6 korsi dhe do jetë me infrastrukturë moderne.

Xhafer: Kjo rrugë e largon edhe kundërmimin e erës dhe ka 6 korsi

“Realisht i kemi 240 ditë pune, sot kemi startuar në këtë pikën ku jemi do të lidhet me vazhdimin e Rrugës B brenda majit do të vazhdojnë edhe në pjesën e Kalabrisë do të largohet e gjithë kundërmimi i erës, do të ketë kanalizimin atmosferik, kanalizim fakal, kanalizimin e ujit, shteg të biçikletave dhe gjelbërim. Do të jetë rrugë me 6 korsi, tri drejtime në një anë dhe tri drejtime në anën tjetër, si dhe do t’i jep një front të ri të Prishtinës të Re”, theksoi ai.

Zotimin se punimet në rrugën “Jim Xhema” do të përfundojnë brenda afatit të paraparë, është shprehur edhe pronari i kompanisë kontraktuese për këtë projekt “Sallahu”, Lulzim Sllahu.

Sallahu: Punimet do të kryhen brenda 240 ditëve

“Plani dinamik ka me zgjatur 240 ditë...Kryhet brenda këtyre ditëve....nuk besoj se do të kemi telashe nëse shpronësimi është kryer në rregull nuk kemi telashe”, deklaroi Sallahu.

Nisjen e punimeve të kësaj rruge e kanë mirëpritur edhe banorët e zonës.

Enver Krasniqi banor i lagjes së Spitalit tha se për 50 për qind rruga A do ta lehtësojnë trafikun.

Krasniqi: Kjo rrugë 50 % e lehtëson trafikun

“Shumë mirë...Me siguri 50 %( e lehtëson trafikun) se kjo është unazë”, u shpreh Krasniqi.

I gëzuar se tashmë ka nisur asfaltimi i rrugës “Jim Xhema” është shprehur edhe Agim Kosumi i cili tha se ndonëse vite më parë ishte folur për ndërtimin e kësaj rruge tek sot filluan punimet.

Kosumi: Shumë e lehtëson komunikacionin në komunën e Prishtinës

“Shumë e lehtëson komunikacionin në komunën e Prishtinës...Qysh në vitin 1964 kjo rrugë është folur të ndërtohet prej atëherë e deri më sot nuk ka filluar të ndërtohet, ja sot fati ynë të ndërtohet kjo rrugë”, deklaroi Kosumi.

Në këtë ceremoni të nisjes së punimeve i pranishëm ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat