Disa pjesë të Prishtinës mbesin pa ujë

Prishtina

Disa pjesë të Prishtinës mbesin pa ujë

Më: 4 prill 2025 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Në Prishtinë kanë mbetur pa ujë të pijes shumë banorë të këtij qyteti. Në kryeqytet, përkatësisht në Lagjen e “Muhaxherëve”, si dhe në sheshet e Prishtinës nuk kanë furnizim të rregullt me ujë.

Në rrugën “Mark Kaçinari” në kryeqytet, disa qytetarë të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, thanë për KosovaPress se kanë mbetur pa ujë të pijshëm që nga dita e djeshme, prej orës 18:00.

Nga kompania Rajone e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë konfirmuar se ndërpreja e ujit është për shkak se ka rrjedhje të ujit dhe nevojitet intervenim për të sanuar defektet.

Megithatë, zëdhënësja e kësaj kompani, Arjeta Mjeku nuk tregoi se kur përfundojnë punimet dhe të bëhet furnizimi i rregullt me ujë në këto pjesë.

“Ka rrjedhje të ujit dhe se nevojitet intervenim”, tha shkurt Mjeku në një përgjigje me shkrim.

Disa qytetarë në këto vende të Prishtinës janë ankuar për KosovaPress se kanë mbetur pa ujë të pijes që prej ditës së djeshme.

“Nuk kemi ujë prej ditës së djeshme, nuk e dimë se kur pritet të rregullohet”, ka thënë një qytetar që deshi të mbetet anonim.

Përveç kësaj, KRU Prishtina ka njoftuar konsumatorët, se nesër, ditë e shtunë 5 prill, do të ketë punime të planifikuara teknike në ndërrimin e rrjetit nga Komuna e Prishtinës në bashkëveprim me "KRU Prishtina".

“Pa furnizim me ujë të pijshëm nga ora 09:00-16:00 mbesin këto zona (rrugë): Rruga " Nënë Tereza", Rruga "Rexhep Luci", Rruga "Qamil Hoxha", Rruga "Tringë Smajli", Rruga "Bajram Kelmendi", Rruga "Agim Ramadani", si dhe rrugët në Qendër”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtina.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat