Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos grumbullimit të tyre, raporton KosovaPress.
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, në cilësinë e koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik, thuhet në njoftim.
Pesë ditë më parë, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” kishte ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Si pasojë e kësaj në kryeqytet kontejnerët janë të stërmbushur derisa qese e gjëra të tjera kanë dalë edhe jashtë tyre..
Ndërprerja e grumbullimit të mbeturinave nga kompania “Pastrimi” ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët e Prishtinës. Ata kritikojnë mungesën e bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe kompanive të pastrimit, duke theksuar rrezikun për fëmijët e të moshuarit.