Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Rajonale “Pastrimi” kanë hyrë në grevë sot para objektit të Komunës së Prishtinës, të cilët kërkojnë siç thonë ata borxhin prej 2.7 milionë euro. Ata paralajmërojnë se do të qëndrojnë në grevë 24 orë para objektit të Komunës së Prishtinës derisa të realizohen kërkesat e tyre.
Punëtorët e kësaj kompanie në shenjë pakënaqësie kanë parkuar edhe kamionët pran kësaj komune, raporton KP.
Në këtë grevë, një punëtorë është alivanosur teksa po qëndronte pranë komunës.
Kryetari i sindikatës së kësaj kompanie, Ardian Krasniqi në një bisedë me nënkryetarin e komunës, Shkëmb Manaj kërkoi që t’u kthehet borxhi prej 2.7 milionë eurosh.
Krasniqi: Kërkesat janë shumë të qarta
“Borxhin nga janari deri tash, për me mundur ne me operua. Kërkesat janë shumë të qarta, nuk është vetëm një kontratë t’ua jap dhe shkoni tek shtëpia”, tha Krasniqi.
Ndërsa, punonjësi i kësaj kompanie, Fatmir Sopi tha se greva do të vazhdoj deri t’u plotësohen kërkesat e tyre.
Sopi: Vazhdon greva
“Na thane se na kanë dërguar kontratën në “Pastrim”, ne po shkojmë ta shohim se çka është. Vazhdon greva, kjo është vetëm një pjesë e një kërkesë që është plotësuar, kërkesat tjera nuk janë plotësuar. Dua t’u kërkoj qytetarëve falje që nuk kemi mundur me (bërë grumbullimin e mbeturinave) për shkak të mos pasjes së derivateve nuk kemi mundur”, shtoi Sopi.
E Halim Ruhani u shpreh se kërkojnë vetëm paratë e tyre nga komuna, për të vazhduar punën kompania, sipas tij.
Ruhani: Ne po kërkojmë paratë tona dhe puna me vazhdua
“Ne vetëm paratë tona dhe puna me vazhdua. Greva vazhdon deri në plotësimin e kërkesave tona, tre ndërrime këtu, natë e ditë. Në kohën e pandemisë na kanë quajtur heronj, tash kemi mbet nën zero, ne jemi ‘bërllkokgji”, u shpreh ai.
Në një ballafaqim me punëtorët ishte nënkryetari i komunës se Prishtinës, Shkëmb Manaj i cili u tha se do të merren masa dhe punëtorët nuk do të mbesin pa punë.
Manaj: Do të merren masa, jemi takuar me avokatin e popullit
“Do të merren masa, jemi takuar me Avokatin e Popullit, një është e sigurt asnjë punëtorë nuk do të mbetet pa punë. Krejt bashkë jemi do ta gjejmë zgjidhjen”, theksoi Manaj.
Nga Komuna e Prishtinës nuk dëshiruan qe të prononcohen për media por kanë dërguar një komunikatë për media.
Në këtë komunikatë thuhet se greva e punëtorëve është e panevojshme dhe politike.
Sipas tyre komuna ka nënshkruar kontratën me kompaninë regjionale të pastrimit në vlerë prej 1.5 milionë euro dhe se presin që të nënshkruhet nga ana e tyre.
“Përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë. Siç ju kemi njoftuar, Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet. Presim nënshkrimin e kësaj kontrate edhe nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, me qëllim që punëtorët t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në Kryeqytet”, thuhet në komunikatën për media.
Përveç grevës së punëtorëve të ndërmarrjes, të njëjtit si shenjë greve kanë parkuar kamionët e tyre para objektit të Komunës së Prishtinës duke bllokuar komunikacionin.