Me rastin e organizimit të Maratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2025”, e cila do të mbahet të dielën më 28 shtator, Policia e Kosovës ka njoftuar për një sërë masash të veçanta që do të ndërmerren për menaxhimin e qarkullimit rrugor dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e duhura policore për ofrimin e sigurisë, duke përfshirë kufizime, lirime dhe bllokime të pjesshme apo të plota të disa segmenteve rrugore. Masat do të hyjnë në fuqi më 28 shtator, nga ora 09:00 e mëngjesit, dhe do të zgjasin deri në përfundim të maratonës.
Segmentet e bllokuara dhe rrugët alternative
Policia ka njoftuar se qarkullimi i automjeteve do të ndërpritet në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja (kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”). Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, janë përcaktuar disa rrugë alternative:
Nga Peja në Prishtinë – drejtimi përmes Sllatinës – fsh. Magurë – Lipjan, duke u lidhur më pas me rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë.
Nga Peja në Fushë Kosovë – përmes Sllatinës – Bardhi i Vogël – fsh. Kuzmin – Fushë Kosovë.
Nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës/Aeroportit – rruga: Prishtinë – Lipjan – Rufci i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit – përmes autostradës nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, me dalje në Lipjan dhe vazhdim në drejtim të Rufcit të Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
Nga Mitrovica drejt Ferizajt – lëvizja do të jetë e lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.
Transporti publik (autobusët) në relacione Prishtinë–Fushë Kosovë–Aeroport dhe në drejtim të Pejës nuk do të qarkullojë në rrugën kryesore gjatë kohës së garës, por do të përdorë rrugët alternative të lartpërmendura.
Policia apelon te qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë ditës së garës, duke respektuar udhëzimet dhe drejtimet e oficerëve policorë në terren.