AAK premton transformim për Prishtinën, prezanton 56 kandidatë

Prishtina

AAK premton transformim për Prishtinën, prezanton 56 kandidatë

Më: 5 tetor 2025 Në ora: 21:25
Foto nga tubimi i AAK-së në Prishtinë

Gjatë ditës së sotme, aktivitete elektorale ka mbajtur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë një tubimi në Prishtinë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi mbështetje qytetare për kandidatin e tyre, Bekë Berisha. Haradinaj tha se është në dorën e tyre nëse qytetarët e Prishtinës duan të përballen me problemet e vjetra apo dëshirojnë një opsion ndryshe.

Gjatë këtij tubimi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Bekë Berisha është një opsion ndryshe për kryeqytetasit. Ai tha se Berisha është një njeri i vlerave e i shpresave.

 “Në realitet jeta po vazhdon njëjtë, po na i thonë më të mirat në fushatë por cka po ndodhë më tutje, problemet e vjetra po rrinë aty dhe ne po duhet me dhunë me u përshtat me këto probleme. Por mujm edhe ndryshe, mujm me i mujt problemet edhe mos me lan ma , por duhet një njeri që e bon. Beka e bon”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kandidati i AAK-së Bekë Berisha ka shpjeguar se gjatë fushatës ekipit të tij, i kanë dhënë mbështetje shumë qytetarë. Ai tha se zgjidhjet për problemet e kryeqytetit, i ka përfshirë në plan-program duke dëgjuar edhe zërin e qytetarëve. Më tej, Berisha tha se nuk është njeri që njihet për fjalë të mëdha por për vepra.

 “Tash e dimë të gjithë, ata në praktikë funksionojnë duke iu shërbyer klientelës… Kodrën e Trimave do ta transformojmë, Kalabrinë do ta lidhim me Dardaninë, qendrën e qytetit do ta mbushim me monumente ilire, duke ia kthyer  Prishtinës identitetin e lashtë dardan. Fushat kryesore të programit tonë janë: Arsim që përgatitë të ardhmen,shëndetësi që trajton me dinjitet, ekonomi që u jep shpresë të rinjve,  infrastrukturë që lidhet me nevojat e qytetarëve …”, theksoi Berisha.

Në këtë tubim elektoral u tha se tashmë AAK e ka dëshmuar qeverisjen e mirë lokale  duke e përmendur komunën e Deqanit, Gjakovës dhe atë të Suharekës si shembull.  Ndërkohë u prezantuan edhe 56 kandidatët për kuvendin komunal të Prishtinës nga radhët e AAK -së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat