Abdixhiku: Përparim Rama, garancia e zhvillimit të Prishtinës

Prishtina

Abdixhiku: Përparim Rama, garancia e zhvillimit të Prishtinës

Më: 10 tetor 2025 Në ora: 20:53
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale

Lidhja Demokratike e Kosovës po synon që të udhëheqë edhe për një mandat katërvjeçar në kryeqytetin e Kosovës me kandidatin e saj për kryetar, Përparim Rama.

Në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ftoi përkrahësit e këtij subjekti që ta mbështesin Ramën për të parin e Prishtinës.

Sipas tij, programi qeverisës të cilin LDK e ka, mundëson zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe kjo parti sipas tij është vulë e qeverisjes.

“Nga kjo Prishtinë e mbyllur po e hapim një kapitull të rrugës së zhvillimit për katër vitet e ardhshme, për punën e dinjitetit, për Prishtinën tonë. Në krye të kësaj qëndron një njeri, në krye të këtij rrugëtimi qëndron Përparim Rama”, tha mes tjerash kryetari i LDK-së.

Abdixhiku tha se projekti dhe vizioni i LDK-së për Prishtinën është model edhe për komuna të tjera në vend, derisa tha se puna për zhvillimin e kryeqytetit do të vazhdojë edhe më tej me Ramën kryetar.

“Sot Prishtina flet veç me vepra, flet me shkolla, mësimin gjithëditor, flet me rrugë që marrin jetë e lagje që marrin frymë dhe sot katër vite më pas kryeqyteti është dëshmia më e mirë, më e qartë e vizionit tënd, ndryshimin në arsim. Projekti i shtëpisë gjithëditore është dëshmi e punës tënde Përparim”, shtoi Abdixhiku.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama foli për projektet që do të realizohen e janë në përfundim e sipër, duke filluar nga zhvillimi ekonomik e punësimi.

“12 shkolla me mësim gjithëditor, 65 mijë banorë të kyçur në ngrohje… Kjo është Prishtina që po ecën përpara e që nuk e ndal askush”, deklaroi mes tjerash Rama.

Ai po ashtu premtoi zgjidhjen e problemeve ekzistuese, duke theksuar se prioritet do të jenë infrastruktura dhe shërbimet publike.

“Në mandatin e ri ne do shkojmë përtej çdo pengese, do të bëjmë unazën e jashtme të kryeqytetit, do të ndërtojmë spitalin e kryeqytetit, do të zgjerojmë mësimin gjithëditor, shkolla të reja, qendra sociale, do ta hapim fshatin olimpik të Lojërave Mesdhetare 2030…”, theksoi kandidati për kryetar të Prishtinës

Përparim Rama, i cili rikandidon edhe për një mandat tjetër për kryetar të Prishtinës, tha se LDK është e vetmja shpresë në të mirë të qytetarëve të kësaj komune.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat