LDK: Prishtina do të vazhdojë të marrë pamjen e një kryeqyteti modern

Prishtina

LDK: Prishtina do të vazhdojë të marrë pamjen e një kryeqyteti modern

Më: 7 nëntor 2025 Në ora: 21:30
Tubimi i LDK-se ne Prishtinë

Synimi Lidhjes Demokratike të Kosovës është që Përparim Rama, kandidat për kryetar të Prishtinës, të qeverisë edhe një mandat me kryeqytetin.

Në tubimin përmbyllës elektoral të këtij subjekti politik, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama thanë se pas 9 nëntorit, do të vazhdojnë punët e mira për kryeqytetin.

Abdixhiku deklaroi se Rama ka realizuar projekte të rëndësishme, duke nisur nga mësimi tërë ditor në shkolla, rruga A, e unaza e brendshme e qytetit.

"Bashkë me Përparim Ramën sollëm shkolla, sollëm mësim tërëditor, modelin më të suksesshëm arsimor në vend. Hapëm rrugën A dhe unazën e brendshme të qytetit. Ne krijuam sheshe moderne, parqe të reja. Ne e kthyem Prishtinën në qytetin e ideve, të artit e të energjisë rinore. Nën vizionin e një ekipi që e donë qytetin e jo pushtetin, Prishtina doli faqebardhë e punoi fortë. Përparim Rama është njeriu i punëve konkrete, i planit të qartë", tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, u shpreh i bindur se qytetarët më 9 nëntor, do të zgjedhin LDK-në për t'i qeverisur.

"Ne e kemi kthyer qytetin në rrugë te drejte e tani duhet ta vulosim këtë me votë. Më 9 nëntor do të jetë dita e Prishtinës dhe Republikës në rrugën e vet dhe origjinale. Jam i bindur se këtë herë Prishtina e ka bërë zgjedhjen e qartë", shtoi ai. 

Ndërsa, Përparim Rama deklaroi se nuk e ka ndërmend të ndalet për ta bërë Prishtinë qytet me vision dhe për të realizuar projektet që sipas tij, do t’i japin pamje të re kryeqytetit.

"Mi keni parë punët e fjalët. Të gjitha i kemi dëshmuar. Tani ka mbet veç një gjë – vota. Kam dalë para secilit, lagje për lagje, fshat për fshat e ju kam folur me zemër. Ju kam treguar se çdo vizion është projekt real. Unë nuk e kam ndërmend me u ndal sepse dashuria për qytetin nuk ndalet. Kur e do vendin, punon edhe kur të pengojnë. Tani i njoh mirë problemet dhe i di edhe zgjidhjet. Prishtina mundet, dinë dhe e meriton. A po e bëjmë një marrëveshje së bashku? Të dielën mos rrini në shtëpi, dilni e votoni për t’ia dhënë qytetit fuqinë e vetme që e ka, votën e bashkuar. Vetëm kur votojmë bashkë jemi të pathyeshëm", theksoi Rama.

Duke e cilësuar vetën si kryetar të projekteve të mëdha, ai tha se qytetarët duhet të dalin e të votojnë për të, në mënyrë që kryeqyteti të zhvillohet.

"Unë jam kryetar i projekteve të mëdha. Unë jam ai që nuk e njeh fjalën 'nuk bëhet'. Unë pengesat i kthej në hapa drejt suksesit. Gjërat duhet me i bërë me vizion e dije. Nëse Prishtina jonë ka me ec përpara varet nga ju. Nëse duam qytet modern, duhet mendësi moderne", deklaroi Rama.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës ka për kundërkandidat atë të LVV-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat