Universiteti i Prishtinës ka themeluar për herë të parë Shkollën Dimërore “Warm UP”, një nismë akademike që synon të institucionalizohet dhe të bëhet pjesë e kalendarit të rregullt akademik të universitetit.
Edicioni i parë, WARM UP – Winter Academy of Research Methods at the University of Prishtina, do të mbahet nga nga sot dhe zgjete deri më premtën, me ligjërata dhe punëtori të përbashkëta të profesorëve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Luksemburgut.
Shkolla Dimërore “Warm UP” ka për qëllim avancimin e studimeve të doktoratës dhe forcimin e kërkimit shkencor në Universitetin e Prishtinës, duke u shndërruar në një pikëtakim të qëndrueshëm akademik për studiues me përvojë dhe për ata që janë në fillimet e karrierës akademike.
Gjatë sesioneve do të trajtohen temat që lidhen me praktikat më të mira në dizajnimin e programeve të doktoratës, sfidat e studimeve doktorale, financimin e kërkimit shkencor, si dhe orientimin e programeve të doktoratës drejt adresimit të sfidave shoqërore, politikave publike dhe nevojave të industrisë. Një sesion i veçantë do t’i kushtohet programeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës.
Në kuadër të shkollës do të organizohet edhe një kolokium doktoral me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, përfshirë studentët e këtij fakulteti që kanë qëndruar në Qendrën SnT të Universitetit të Luksemburgut, ku do të prezantohet puna e tyre kërkimore.
Shkolla Dimërore “Warm UP” mbështetet nga LuxDev dhe Ambasada e Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë.