Kanë kaluar tre vjet që kur kanë filluar punimet për unazën e brendshme të kryeqytetit dhe ende nuk është përfunduar as faza e dytë e këtij projekti.
Për zbutjen e ngarkesës së komunikacionit është shumë e nevojshme edhe unaza e jashtme e kryeqytetit për të cilën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, thotë se fondet për këtë projekt tashmë janë siguruar.
Në nëntor të vitit 2022 filluan punimet për unazën e brendshme të kryeqytetit, u premtua se kyçja e unazës me rrethrrotullimin në Lakrishtë dhe atë në Arbëri do të realizohej gjatë vitit 2023, por kjo fazë e projektit nuk ka përfunduar as tash, pas tri vitesh. Ky projekt kishte për qëllim zbutjen e kolonave të trafikut, ndërsa zyrtarët policorë të njësisë së trafikut thonë se ngarkesa vazhdon të rëndohet çdo ditë.
“Këtu kemi kyçje nga Fushë Kosova dhe nga Mitrovica, andaj ky rrethrrotullimi çdo ditë është i dyndur nga kolonat”, tha Vedat Zuka, shef i operativës së njësisë së trafikut.
Pika tjetër e kolonave është edhe te rrethrrotullimi me flamur dhe ai që lidhet me lagjen Veternik, e që parashihen të jene pjesë e unazës së jashtme.
“Dy rrethat siç ne i njohim rrethi me flamur dhe rrethi i Viktorisë janë pikat më të ngarkuara në kryeqytet. Kolona këtu zakonisht është e përditshme, mirëpo është koha e pikut kur njerëzit shkojnë në punë dhe kur kthehen nga puna, është e premtja kur banorët dalin nga Prishtina, ato janë momentet më të ngarkuara, por edhe vozitësit duhet ta kenë parasysh që edhe në qytetet më të mëdha të Evropës ka kolona”, shtoi Zuka.
Unaza e jashtme e Prishtinës ka kosto rreth 350 milionë euro.
“I kemi të gjitha fondet nga BERZH-i të cilat po presin vetëm një nënshkrim nga niveli qendror, uroj që të reflektojnë ta bëjnë këtë nënshkrim dhe ta realizojnë këtë proces madhor. Unë nuk e kam problem që edhe niveli qendror ta merr këtë projekt, mirëpo kjo duhet të ndodhë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në propozim-buxhetin e Komunës së Prishtinës për këtë vit është përfshirë vetëm unaza e brendshme në vlerë prej 220 mijë eurosh.