Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në konferencën e Klubit “Dëshira”, ku është diskutuar për shëndetin mendor, mundësitë e barabarta dhe krijimin e hapësirave për socializim dhe zhvillim të kreativitetit.
Përmes një postimi, Rama ka theksuar rëndësinë e kujdesit dhe mirëkuptimit për personat që kanë nevojë për mbështetje, duke nënvizuar se secili duhet të ndihet pjesë e shoqërisë.
Ai ka bërë të ditur se në konferencë është diskutuar edhe për nevojën që Kryeqyteti të krijojë hapësira më të mëdha dhe më të përshtatshme për socializim, mësim dhe krijimtari.
Sipas Ramës, Klubi “Dëshira”, me rreth 250 anëtarë, po kontribuon në krijimin e mundësive që anëtarët të shprehin talentin e tyre dhe të jenë pjesë aktive e shoqërisë.
Në fund, kryetari i Prishtinës ka falënderuar drejtorin e klubit, Nusret Shillova, dhe gjithë ekipin për përkushtimin dhe punën e tyre.