Lagjet pa plan rregullativ, Asambleja pa kuorum

Prishtina

Lagjet pa plan rregullativ, Asambleja pa kuorum

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 14:49
Ilustrim

5 nga 10 pikat e rëndit të ditës të cilat kishin të bëjnë me planin rregullativ të disa lagjeve në Prishtinë, si dhe propozimi për analizimin e gjendjes së ndërmarrjeve komunale në komunën e Prishtinës, ishin arsyet për të cilat këshilltarët e LDK-së dhe PDK-së lëshuan mbledhjen e sotme të asamblesë komunale.

Lagje të tëra të Prishtinës janë në pritje të miratimit të planeve rregullative, por të zgjedhurve të banorëve të Prishtinës në asamblenë komunale duket se nuk po u bëhet vonë asnjëherë.

5 nga 10 pikat e rëndit të ditës të cilat kishin të bëjnë me planin rregullativ të disa lagjeve në Prishtinë, si dhe propozimi për analizimin e gjendjes së ndërmarrjeve komunale në komunën e Prishtinës, ishin arsyet për të cilat këshilltarët e LDK-së dhe PDK-së lëshuan mbledhjen e sotme të asamblesë komunale.

Propozim vendimi për lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm “Kalabria” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për lënie në dispozicion për shqyrtim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm të lagjes “Kodra e Trimave 1” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për lënie në dispozicion për shqyrtim publik të Propozimplanit rregullues të hollësishëm të lagjes “Mati 2” në Prishtinë; Rishqyrtimi i Vendimit për miratimin e Planit rregullues të hollësishëm  “Sofalia” në Prishtinë 2016-2024; Propozim vendimi për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për blloqet: B 17, B 18, B 19 dhe B 20, të lagjes “Mati 1” në Prishtinë 2016-2024, ishin pikat të cilat u quajtën të jashtëligjshme nga asamblistët e LDK-së, për arsye se nuk kishin kaluar në komitetin për politikë dhe financa.

I paligjshëm sipas tyre ishte edhe propozimi për analizimin e gjendjes së ndërmarrjeve komunale e cili u dha nga asamblistët e grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Bashkë me grupin e asamblistëve, mbledhjen e ka braktisur edhe kryetari i asamblesë komunale, Halim Halimi i cili vjen nga LDK.

Këshilltarët e PDK-së gjithashtu e braktisën mbledhjen.

Dalja e këtyre subjekteve nga seanca e pamundësoi vazhdimin e mbledhjes për shkak të mungesës së kuorumit.

Në asamblenë komunale të Prishtinës LDK është grupi më i madh me 18 asamblistë, Vetëvendosje ka 10 asamblistë ndërsa PDK 8.

Pas braktisjes së mbledhjes, në cilësinë e drejtuesit të mbledhjes, erdhi këshilltari më i vjetër i asamblesë Feti Mehdiu i cili pas kthimit nga një pauzë 15 minutëshe e cila u kërkua nga vet asamblistët e mbetur, e ndërpreu mbledhjen në mungesë të kuorumit.

Braktisja e mbledhjes nga ana e kryesuesit Halim Halimi u përcoll me kritika nga asamblistët të cilët kishin mbetur në sallë, ku kërkuan të merren masa disiplinore, ose të kërkohet dorëheqja e tij.

Ibrahim Kelmendi nga grupi i asamblistëve të AAK-së tha se ndaj kryesuesit të asamblesë duhet të iniciohet një procedurë disiplinore.

“Ne jemi të nënçmuar dhe do ta përdorim një lloj të reciprocitetit, meqë ai po na injoron neve, edhe ne do ta injorojmë atë. Duhet të iniciojmë një procedurë disiplinore, për shkak të mos përfilljes së votës së qytetarëve që na e kanë dhënë”, tha ai.

Sadri Ramabaja nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kuvendi i Prishtinës është shembull i mjerimit politik.

“Ky kuvend është shembull i një mjerimi politik, dhe ky mjerim mban emrin e kryesuesit. Kryesuesi ose duhet të penalizohet ose të jap dorëheqje”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se ndërprerja e mbledhjes së asamblesë nga ana e kryesuesit ishte e qëllimshme.

“Mua nuk më ka ndodhur me pa që një kryesues ta ndërpret mbledhjen, filloi të flas me rrokje që ta vonojë këtë mbledhje, dhe në fund e braktisi”, tha ai duke iu referuar mënyrës se si Halim Halimi, me ngadalësi i shqiptonte fjalët gjatë kohës sa e drejtonte seancën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat