Forumi Rinor i kërkon LDK-së një kandidat për Prishtinën dhe ndryshime në parti

Prishtina

Forumi Rinor i kërkon LDK-së një kandidat për Prishtinën dhe ndryshime në parti

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 18:31
Ilustrim

Kryetari i Degës së LDK-së, Halim Muçolli në Kuvendin e Forumit të Rinisë të LDK-së në Degën e IV-të në Prishtinë ndër të tjera ka theksuar se ndryshimi është kryefjalë e politikës dhe pjesë integrale e çdo partie politike.

Ai ka theksuar se ndryshimi, fatkeqësisht sipas tij ka mbetur një slogan elektoral për LDK. 

Në vazhdim e gjeni të plotë fjalimin e Kryetarit të Degës IV z. Halim Muçolli në Kuvendin e FRLDK-së, Dega IV Prishtinë:

NDRYSHIMI I VAZHDUESHËM SI PJESË INTEGRALE E ÇDO PARTIE POLITIKE

Pjesëmarrja e ulët e të rinjëve në politikë, madje edhe vet pjesëmarrja e tyre e ulët në votime, është temë që i preokupon partitë politike anekënd botës. Të rinjtë, që nuk janë pjesë e jetës publike, janë pjesa më e lirë e një populli, por në rastin tonë, për shkak të demografisë, abstenimi nga politika është abstenim nga sfidat e grupmoshës dominuese.

Përgjithësisht, të rinjtë, argumentojnë se pavarësisht votës apo pjesëmarrjes së tyre në politikë, jetët e tyre mbesin të njëjta. Për më tepër, shumë të rinjë nuk e shohin politikën si arenë potenciale për ndryshime, por si një moqal të korruptuar ku ndryshimi nuk ka gjasë të duket.

Tekefundit, “ndryshimi” është kryefjalë e politikës që fatkeqësisht në krye të herave ka mbetur vetëm slogan elektoral. Nëse në botën e zhvilluar, me “ndryshim” kuptohet çkapja nga fuqia e kapitalit financiar dhe të korporatave që e kontrollojnë politikën dhe kundërshtim i establishmentit në tërësi, që është në funksion të grupeve të interesit, versioni kosovar është krejt ndryshe – kapitali është vetë politika.

Nëse në botën e zhvilluar, përballë establishmentit është një shoqëri me qasje në arsim dhe shëndetësi të avancuar me normë njëshifrore të papunësisë, në Kosovë, kjo shoqëri, ka qasje në një arsim të degraduar dhe devalvuar njëkohësisht, shëndetësi të rrënuar dhe normë të papunësisë me mbi 40%.

Nëse edukimi i vazhdueshëm tani kuptohet si pjesë integrale e arsimit edhe “ndryshimi i vazhdueshëm” duhet të jetë pjesë integrale e çdo partie politike, në mënyrë që ndryshimet në shoqëri mos të vijnë në formë ciklike, për më tepër që bartës të tyre të mbahen parti e lëvizje që ideologjinë e kanë nga shekulli I kaluar.

Dhe vet historia e LDK-së ka qenë histori e ndryshimit. LDK-ja e prirë nga Presidenti Rugova është partia e parë demokratike në hapësirën shqiptare dhe në kushtet e mungesës së rivalëve politik i duhej madje edhe të improvizonte demokraci për ta instaluar pluripartizmin në një shoqëri të mësuar me njëmendësi. Sot, LDK-ja, idenë fillestare të ndryshimit, duhet ta kultivoj si normë për të iu përgjigjur kërkesave të një elektorati përditë më dinamik dhe vetë kohës.

Forumi Rinor i sotëm duhet të ndryshoj dhe nuk duhet dhe nuk mund t’i përngjaj Forumit të viteve 90-ta dhe madje as Forumit të viteve të pasluftës, kur vetëm të qenurit pjesë e tij ishte refuzim dhe protestë ndaj dhunës së para dhe pasluftës dhe njëkohësisht bartës i angazhimit politik të LDK-së. Sot, Forumi Rinor duhet të jetë kompatibil me Forumet e partive simotra evropiane, si vend ku debatohet vazhdimisht dhe përmes aktiviteteve ditore krijon opinion te pjesa e të rinjëve të paangazhuar politikisht.

Sot, Forumi Rinor nuk duhet t’i përngjaj as seniorëve dhe në vend se të sillen si funksionarë, me mbledhje të shpeshta, duhet të bëhen pjesë e konferencave tematike dhe pjesë e fushatave elektorale të partive simotra evropiane.

Sot, të rinjtë duhet ta ndryshojnë vet LDK-në. Sot, LDK-ja në sytë e të tjerëve duket parti e vjetër, jo për shkak të moshës 27 vjeqare. Dhe kërkesat për ndryshim të vazhdueshëm në LDK vijnë për shkak të vet potencialit mobilizues si parti gjithëpërfshirëse në kuptim rajonal, intelektual dhe deri vonë atë moshor. Ne deri tash jemi mjaftuar të themi se ky është përceptim i gabuar për LDK-në, siq i themi përceptim gjithçkaje që lidhet me qeverisjen tonë ndër vite, në pushtetin lokal e qendror, por ne dimë se megjithatë njerëzit votojnë në bazë të përceptimit.

Dhe këtë përceptim të tyre duhet ta ndryshojmë vetë. Historia e 10 vjetshit të fundit në LDK është histori e marrjes me vetveten, ku gara brendapartiake është kuptuar si garë për eliminimin e kundërshtarëve të shpikur brenda partisë, ku 51% e shkel 49%, është histori e përqarjes. Ne e kemi provuar në lëkurën tonë ndarjen e vitit 2006, ne po i provojmë në lëkurën tonë historitë e Kuvendeve zgjedhore, të gjitha me radhë, deri te i fundit, i vitit 2015, ku njerëz me legjitimet politik të verifikuar anashkalohen dhe gara e koncepteve kuptohet si luftë për dominim apo mbijetesë.

Mësimin e kemi marrë bashkë, ndryshimin duhet ta bëjmë bashkë. Koekzistencën e garës së koncepteve të ndryshme duhet ta bëjmë normë, daljen unike para qytetarëve standard. Sot, LDK-ja duhet ta ndryshoj urgjentisht komunikimin me publikun. Nga një QIK, me orar 24 orësh dhe referencë për profesionalizëm, kemi përfunduar në komunikata totalisht joprofesionale, të lëshuara nga pajisjet mobile, nga duar jokompetente dhe nga ambiente jozyrtare.

Ndryshimin duhet ta bëjmë edhe Degët e Prishtinës. Prishtina është pengu I LDK-së qe 3 vite. Ne nuk mund ta rifitojmë Prishtinën nëse ende nuk e kemi bindur veten se e kemi humbur atë dhe një analizë e humbjes do ta gjente formulën e fitores. VV, dëshmoi se pushtetin e ka fituar me parolla por që pushteti nuk mundet të mbahet me to dhe se ideologjia e saj nuk i jep zgjidhje problemeve të prekshme të qytetarëve.

Në anën tjetër, ne LDK-ja e Prishtinës, po duam të dëshmojmë se Prishtina mund të fitohet me komunikata. Prishtina është interes i qytetarëve dhe përgjegjësi më e madhe se e pesë kryetarëve apo Degëve të Prishtinës. Ne jemi vonuar dhe urgjentisht duhet të mobilizohet krejt potenciali partiak. Përzgjedhja e kandidatit për Prishtinën nuk duhet të jetë ekskluzivitet i neve që pretendojmë se jemi afër vendimmarrjes, e profili i kandidatit duhet të jetë më i gjerë se nevoja e përmbushjes së egove tona personale. Elektorati i Prishtinës, dominues nga të rinjtë, është dinamik dhe i tejkalon kërkesat e grupit dhe krahinave dhe kërkon profil të shekullit të 21, vizioni i të cilit nuk përmbledhet vetëm në mbledhjen dhe shpenzimin e buxhetit.

Ne duhet të kemi kurajën që ta gjejmë kandidatin më të mirë brenda strukturave partiake dhe madje, qoftë nevoja, të dalim edhe përtej saj – kandidat që nuk përmban hipoteka të dështimeve profesionale dhe politike.

Të nderuar delegatë,
Sot ju përmes këtij procesi zgjedhor, keni rastin të dëshmoni se jeni ndryshe, përmes zgjedhjes së lirë të konceptit që ju ka bindur më shumë. Frymën e lirë dhe kreacionin që e dallon të riun ta instaloni në LDK. Do të doja që të propozuarit e parë të kryetarit fitues të jenë ata që nuk arritën ta fitojnë garën. Ky do të ishte mesazhi i parë i vullnetit për të qenë ndryshe.
Faleminderit dhe suksese!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat