Sofalia me çerdhe publike

Prishtina

Sofalia me çerdhe publike

Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 13:31
Kryetari Shpend Ahmeti dhe Arbërie Nagavci në çerdhen e re

Që nga sot lagja Sofalia është bërë me çerdhe publike. Kjo çerdhe e cila është emëruar “Zogjtë” do të pranojë rreth 70 fëmijë prej kohës kur janë foshnje e deri në moshën 5 vjeçare.

Në përurimin e çerdhes më të re të kryeqytetit ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti së bashku me drejtoreshën për Arsim në këtë komunë Arbërie Nagavci.

Ahmeti tha se kjo është çerdhja e pestë nga shtatë çerdhet që kishte premtuar se do t’i hap gjatë këtij mandati.

Sipas Ahmetit, çerdhe të reja do të hapen edhe në lagjen Tophane dhe në Kodrën e Trimave.

Me këtë rast Ahmeti tha se kur hapen objekte të tilla janë ditët më të lumtura të tij si kryetar i komunës.

Ahmeti: Kjo çerdhe mundësi e mirë si për fëmijët ashtu edhe prindërit

Kemi filluar mandatin me shtatë çerdhe publike, tashmë kjo është çerdhja e pestë me bazë në komunitet sivjet planifikojmë përveç kësaj në Sofali ta hapim edhe çerdhen e re në Kodrën e Trimave me kosto të përballueshme që është çerdhja e parë kisha me thënë në formë të formatit publik dhe po ashtu shpresojmë dhe jemi të sigurt që ta hapim edhe një në lagjen Tophane, me ç ‘rast ne dyfishojmë numrin e çerdheve. Sofalia ka pas nevojë për një çerdhe të tillë, së shpejti do të fillojnë edhe punët për shkollën e re në Sofali me ç ‘rast kompletohet infrastruktura për fëmijët duke filluar në edukimin e hershëm, siç po e shihni me këta fëmijë të moshës prej kur janë bebe kisha me thanë nëntë muajsh deri në parashkollor. Prandaj, këto janë ndër ditët më të lumtura që i kam si kryetar kur hapim çerdhe të tilla dhe mbase ju ofrojmë edhe prindërve një mundësi të mirë, por edhe fëmijëve një edukim të bukur të hershëm’’, tha Ahmeti.

Drejtoresha komunale e Arsimit Arbërie Nagavci tha se objekti i cili ishte shfrytëzuar për shkollë, tani është riorganizuar dhe i plotëson standardet për një edukim për fëmijët e moshës së vogël.

Nagavci: Ky objekt i plotëson të gjitha standardet

Është bërë edhe riorganizimi i hapësirave siç e dini ky ka qenë një objekt që është shfrytëzuar për shkollë, ka qenë shumë e vjetër dhe është riorganizuar, tash i plotëson krejt standardet për edukim ashtu siç është e nevojshme për fëmijët e kësaj moshe’’,  tha Nagavci.

Në këtë çerdhe janë regjistruar tridhjetë fëmijë, kurse konkursi do mbetet i hapur deri sa të plotësohet numri, por edhe pas plotësimit të numrit numri i fëmijëve të tjerë të cilët do të aplikojnë do të jenë në listë të pritjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat