Largohen edhe gjashtë familje nga banesat në Dardani

Prishtina

Largohen edhe gjashtë familje nga banesat në Dardani

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 14:30
Aksioni i policise

(E plotësuar) - Janë larguar sot edhe gjashtë familje tjera nga banesat e Ndërrmarrjes Publike Banesore. Largimi i tyre u bë me asistencë të Policisë së Kosovës pasi që banorët kishin refuzuar të largoheshin nga aty.

Nga NPB bëjnë me dije se tri familje janë larguar me vetdëshirë ndërsa tri tjera janë larguar sot.

Largimi i tyre u bë me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ndërsa gjatë javës së ardhshme nga këto banesa pritet që të largohen edhe gjashtë familje tjera nga banesat që konsiderohen se janë uzurpuar nga qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës që nga viti 1999.

Por largimin  e tyre nga këto banesa e konsiderojnë të padrejtë banorët e larguar dhe ata që ende kanë mbetur aty, por që kanë vendim për t’u larguar.

Muhedin Muçolli, thotë se gjashtë familjet janë larguar në mënyrën më barbare që ekziston, e sipas tij kjo bëhet vetëm për përfitime personale të Shpend Ahmetit.

Muçolli: U larguan gjashtë familje në mënyrën më barbare që ekziston

“Tash para disa minutash u larguan gjashtë familje në mënyrën më barbare që ekziston në shekullin e XXI.  Pritet që në ditët në vijim të largohen të gjitha familjet. Deri më tani që 18 vite nuk e kemi gjetur titullarin e kësaj ndërtese, këto gjera bëhen për shkak të përfitimeve personale, si zakonisht të klanit të Shpend Ahmetit, kryetarit të Prishtinës, drejtorit të ndërmarrjes banesore Nexhat Kryeziut dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës. Këto gjëra bëhen veç për përfitime personale për asgjë tjetër”, tha Muçolli.

Edhe pse qysh nga viti 2008 banorët janë paralajmëruar se do të largohen, ata thonë se ende nuk kanë gjetur zgjidhje për t’u strehuar.

Pas largimit nga këto banesa për 18 vjet ata thonë se  do të mbesin rrugëve.

Muçolli: Do të mbesim në rrugë

“Jo asnjë. Të gjithë do të mbesim në rrugë”, tha Muçolli.

Nga Ndërmarrja Publike Banesore bëjnë të ditur se banorët janë lajmëruar me kohë se do të largohen, ndërsa ka thënë se më 10 korrik do të largohen edhe gjashtë familje tjera.

Ahmetaj: Përmes njoftimeve banorët veç kanë qenë të njoftuar se ata do të largohen

“Përmes njoftimeve të shumta banorët veç kanë qenë të njoftuar se ata do të largohen, do të thotë ky aktvendimi në bazë të cilit është bërë procedura përmbarimore është i vitit 2008, prej atëherë qytetarët kanë qenë të njoftuar që kanë me i liruar banesat herët ose vonë. Prandaj, edhe sot kanë qenë pak a shumë të përgatitur, tri prej banesave që janë liruar sot veç kanë qenë të zbrazëta  kur kemi shkuar na për procedurën e largimit ndërsa tri të tjera më marrëveshje me ta me kamionët e përmbaruesit të cilët janë duke e bërë punën janë larguar gjësendet tjera që ata i kanë pasur aty”, tha Ahmetaj.

Sipas saj aksioni do të vazhdojë edhe javën e ardhshme dhe do të vazhdojë derisa të lirohen 130  banesat e uzurpuara.

Ahmetaj: Javën e ardhshme do të lirohen edhe gjashtë të tjera

“Gjithsej në Lamella SU-9/4 janë 130 banesa të cilat kanë qenë të uzurpuara, vjet janë liruar disa, sot janë liruar gjashtë, javën e ardhshme do të lirohen edhe gjashtë të tjera deri sa të bëhet lirimi i të gjitha këtyre banesave. Do të thotë 130 sa janë gjithsej”, tha Ahmetaj.

Me këtë rast zëdhënësja u bën thirrje të gjitha rasteve sociale që të drejtohen tek organet kompetente për zgjedhjen e çështjes së banimit.

Ndryshe që nga paslufta në lagjen “Dardania” banorë të ndryshëm kanë zënë banesat të cilat NPB pretendon se janë pronë e saj.

Banorët: “Klani i Shpend Ahmetit” po na largon nga banesat

Komuna e Prishtinës me asistimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës ka nisur largimin e qytetarëve nga banesat në lagjen Dardania të Prishtinës.

Muhedin Muçolli, banor në këtë kompleks banesor, ka thënë për media se urdhëri për largimin e tyre nga banesat që Komuna i konsideron si të tyre, është dhënë nga “klani i Shpend Ahmetit”.

“Banorët janë larguar me dhunë në mënyrën më të vrazhdë, besoni jemi të shqetësuar dhe të stresuar nga këto skena . Jemi njerëz hallexhinj. Ndërmarrja banesore pretendon që është pronë e saj , nuk është titullar e as ndërtues I saj , këto gjëra po bëhen për përfitime personale , ta quaj klani I Shpend Ahmetit me drejtorin e ndërmarrjes banesore”, ka thënë ai.

Muçolli e pranon se nuk janë pronarë të banesave, mirëpo megjithatë ka thënë se që nga paslufta kanë investuar dhe se tanimë nuk është e drejtë të largohen dhe të mbesin në rrugë.

“Nuk jemi pronar, ne jemi të strehuar pas luftës pasi që kemi mbetur pa shtëpi dhe pa troje. Asnjë mjet ndërmarrja Banesore nuk e ka të Investuar këtu. Ndërtimi ka qenë i vrazhdë, investimet i kemi bërë të gjitha vet, ne jemi pagues të rregullt të rrymës të ujit të gjitha obligimeve”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës, gjatë vitit kaluar kishte larguar vetëm gjashtë familje nga rreth 130 prej tyre në lagjen ‘’Dardania’’, të cilat i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë.

Largimi i tyre po bëhet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë të datës 22.09.2008.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat