Shiu i djeshëm në Prishtinë nuk ka shkaktuar dëme materiale

Prishtina

Shiu i djeshëm në Prishtinë nuk ka shkaktuar dëme materiale

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 16:03
Ilustrim

Shiu i furishëm që e kaploi ditën e djeshme qytetin e Prishtinës nuk ka shkaktuar dëme materiale për banorët e kryeqytetit, përveç disa mbyllje të pusetave dhe vështirësive në trafik.

Drejtori i Inspeksionit të komunës së Prishtinës, Sali Zyba për kp, ka thënë se në qendrën e thirrjeve telefonike janë regjistruar tetë thirrje nga qytetarët e kryeqytetit dhe kryesisht kanë qenë probleme me mbyllje të pusetave, akumulim të sasisë së ujit dhe vështirësi në komunikacion.

Image

Zyba: Vetëm 8 thirrje telefonike janë regjistruar në qendrën e thirrjeve

“Pas vërshimeve të djeshme të sasisë të konsiderueshme që kanë rënë të reshurave dje kemi marrë disa thirrje qytetare por asnjëra nga këto nuk është  shqetësim për qytetarët, janë 8 thirrje telefonike kryesisht në qendrat e thirrjes që kanë ardhur, janë të regjistruara kryesisht për mbyllje pusetash, për akumulim apo koncentrim të sasisë së ujit dhe për vështirësitë në trafik në disa raste, në të kundërtën nuk është regjistruar as nga qytetarët, as nga zyrtarët çoftë nga policia apo organet tjera që ka ndonjë dëmtim çoftë të pronës , çoftë format tjera”, tha ai.

Sipas Zybës, pjesët më të prekura nga reshjet e shiut të djeshëm ka qenë qendra e qytetit, disa rrugë që ka prurje prej rrugicave të  tjera, dhe infrastruktura e vjetruar ka ndikuar që të ketë vërshime të rrugëve nga uji.

Ndryshe, ai ka thënë se të gjitha thirrjeve të qytetarëve drejtoria e Inspeksionit iu është përgjigjur dhe po ashtu të gjitha kompanitë e kontraktuara për shërbime të tilla kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Sali Zyba  ka thënë Komuna e Prishtinës nuk ka fond të veçantë për kompensim në rast të fatkeqësive natyrore.

Zyba: Nuk ka fond të veçantë për kompensim

“Nuk ka fond të veçantë për kompensim, por shqetësimet e qytetarëve për me pa mundësi tjera i pranojmë gjithmonë komuna ka për obligim me i pa shqetësimet por për rastin në fjalë nuk ka të raportuara qoftë dëme materiale qoftë dëmtime të pasurisë të luajtshme, të pa luajtshme”, shtoi Zyba.

Media ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, dhe sipas zëvendës-komandantit të kësaj brigade të zjarrfikësve, Malë Gashi,  ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë informatë për të iu dalë në ndihmë në rast vërshimi nga uji, dhe se gjendja ka qenë normale.

Lidhur me vërshimet e djeshme në kryeqyteti, asamblisti i PDK-së në komunën e Prishtinës, Muhamet Selmani, ka fajësuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për keqmenaxhim të mjeteve të ndara për investime kapitale duke e konsideruar këtë edhe si neglizhencë nga Komuna e Prishtinës.

Image

Selmani: Kjo është neglizhencë e Komunës së Prishtinës

“Unë dua të besoj se kjo është neglizhencë e komunës së Prishtinës, kryesisht e kryetarit, është fajësi e kryetarit sepse drejtorët janë të zgjedhurit e tij dhe përgjegjësia ligjore bie mbi kryetarin për arsye të mos intervenimit, ne siç e dimë kemi bërë edhe një prezantim para disa ditësh komuna e Prishtinës ka pasur mjete të mjaftueshme të planifikuara për investime kapitale, mirëpo ato mjete nuk janë shpenzuar si rezultat i keq qeverisjes dhe keq menaxhimit të këtij buxheti nga këta drejtor. Si rezultat i kësaj ne kemi edhe vërshime të çdo hershme pas çdo reshje të shiut sa do e vogël qoftë ajo”, tha ai.

Ai tutje tha se Komuna e Prishtinës duke dashur të ia hedhë fajin për këtë problem qeverisjes së kaluar të Isa Mustafës, vetëm sa ka treguar paaftësinë e menaxhmentit të komunës së Prishtinës.

Ndryshe dje rreth orës 17:00, ka pasur reshje të mëdha shiu të shoqëruara me breshër, të cilat kanë shkaktuar telashe në rrugët dhe sheshet e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat